Policia italiane ka arrestuar dy shqiptare të moshës 32 dhe 33 vjeç, pasi në mënyrë të vazhdueshme kanë kërcënuar një të ri të përfshirë në shitjen e narkotikëve. Dyshohet se ata i kanë kërkuar para për disa doza të papaguara. Operacioni ndaj shqiptarëve rezidentë në San Benedetto është realizuar nga karabinierët e Ascolit dhe San Benedettos së bashku me ata të stacionit lokal në Monsampolo.
Dy shqiptarët, pas kërcënimeve të përsëritura ditët e fundit kundrejt një të riu të varur nga droga në Monsampolo, që me sa duket iu kishte para borxh, kishin përvetësuar 200 euro nga viktima.
Karabinierët, të cilët ndërhynë menjëherë, i bllokuan dhe i arrestuan për zhvatje dhe për posedim të drogës, pasi si rezultat i kontrolleve në banesë iu gjetën në posedim disa gram kokainë. Të rinjtë e arrestuar gjenden tani në burgun e Marinos.