Ditën e djeshme një i ri shkaktoi jo pak panik në qytetin e Vlorës, teksa u shfaq me kallashnikov në ambientet e lokalit, ku pati edhe të shtëna.
Sipas njoftimit të Policisë, disa efektivë që ndodheshin në vendngjarje arritën të neutralizonin në kohë situatën. Po sipas vëllait të Besmirit historia ka qenë krejt ndryshe, shkruan ”Faxweb.al”.
Ai thotë se i vëllai është dhunuar barbarisht nga ana e Policisë, dhe për këtë ka kryer disa ndërhyrje.
Sipas tij Besmiri ka qenë në një karburant duke mbushur motorin me benzinë dhe ndërkohë efektivët e dehur kanë shkuar me makinë dhe e kanë dëmtuar tek këmba.
Mesazhi i të vëllait:
‘’E vërteta po fshihet, kanë qenë policët që kanë rrahur vëllain tim. Ai ka qenë në një karburant duke mbushur motorin me benzinë dhe ndërkohë efektivët e dehur kanë shkuar me makinë dhe e kanë dëmtuar tek këmba. Vëllai im u tha të shikonin sepse e kishin vrarë në këmbë, por ata e kishin sharë me fjalë nga më të pistat dhe më pas e kishin qëlluar me grusht. Im vëlla ishte larguar me shpejtësi dhe kishte marrë një kallash që nuk e di nga e ka gjetur.
Kur u kthye në karburantin që ka edhe lokal, ata ja morën direkt armën dhe u qëllua vetëm njëherë në ajër. Unë isha nga ana tjetër e trotuarit dhe pas këtij momenti i pashë të gjitha, por s’më linin të afrohesha. Ata e rrahën aq shumë sa im vëlla bëri operacion hundën dhe tani sapo i bëra skanerin e kokës pasi e kanë dëmtuar shumë.
Shikojini edhe vetë fotot. Ishin civilë sepse edhe pasi erdhi furgoni i policisë nuk i ndau, por ata vazhduan ta rrihnin vëllanë tim. I pashë lajmet dhe nuk po duroja dot më kur i lexova. Kjo pasi 6 emrat e civilëve janë fshehur, ka edhe shumë gjëra të tjera që po fshihen. Unë do t’i shkoj deri në fund kësaj çështje dhe do kërkoj të drejtën e vëllait tim. Gjithçka që po them do të vërtetohet edhe me kamerat e karburantit. Fotot e vëllait tim të dhunuar e tregojnë se nuk ka qenë ai autori në këtë çështje, siç duan ta tregojnë”.