Kryetari i Bordit i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Majkëll Granoff, thotë se Shqipëria ka nevojë të futë pikëpamje të reja në ekonomi dhe në biznes.
Në intervistën me korrespondentin e Zërit të Amerikës në Tiranë, Ilirian Agolli, zoti Granof dha komentet e tij edhe për klimën e biznesit në Shqipëri, emigrimin e rinisë dhe ndihmën, që po jep fondacioni për të përmirësuar të ardhmen e vendit.
“Në disa mënyra mund të thuhet se situata në Shqipëri është e rëndë për shkak të emigracionit. Pra janë shumë shqiptarë të zgjuar dhe të aftë, të cilët kanë humbur shpresën tek mundësitë e këtushme dhe ata po “votojnë me këmbë”. Ata po votojnë për ta lënë vendin. Kjo nuk është një rrugë e qëndrueshme për Shqipërinë për t’u zhvilluar në të ardhmen. Shqipëria duhet t’i përgjigjet këtij problemi me vizion dhe mundësi për njerëzit, që të rinjtë dhe të aftët të mos vendosin të lënë vendin, por edhe ata që e kanë lënë vendin të vendosin për t’u kthyer sërish. Ndoshta nuk ka ndonjë sfidë më të madhe për Shqipërinë se sa kjo për ta përballuar, nëse mund ta bëjë këtë. Mendoj se përgjegjësia për ta bërë këtë qëndron te çdokush. Edhe fondacioni ynë ka një përgjegjësi dhe ne mendojmë për këtë gjatë përgatitjes së programeve. Universitetet kanë një përgjegjësi për t’u përballur me këtë, qeveria dhe biznesi gjithashtu. Ky është një problem shumë i rëndësishëm dhe çështja është se si të sigurojmë mundësi dhe shpresë për njerëzit që ndryshimi mund të vijë, që gjërat mund të lëvizin në një drejtim pozitiv dhe që ata duhet të qëndrojnë dhe të ndërtojnë jetën dhe karrierën e tyre këtu, në një mënyrë pozitive për ta dhe fëmijët e tyre. Në një farë mënyre ajo do të jetë në fund të fundit një test për të gjithë ne; është një sfidë e rëndësishme; mendoj se është një lente që të gjithë ne duhet të shohim përtej saj se çfarë po bëjmë, kur mendojmë se çfarë fondacioni mund të bëjë, qeveria duhet të shikojë përmes kësaj lente. E kam biseduar këtë me drejtues biznesesh këtu me kryeministrin dhe me ministritë, me të cilat ne kemi të bëjmë, me opozitën. dhe mendoj se Për të pasur nëse do të ketë një ndryshim, njerëzit duhet të bashkohen në një vizion dhe të rinjtë ta shohin atë si mundësi për ndryshim dhe bazuar tek kjo, të marrin vendimet e jetës”, tha ndër të tjera Granoff.