Të tjera detaje zbulohen pas arrestimit të një shqiptareje bashkë me djalin e saj në Itali, pasi u shisnin drogë minorenëve.
Policia italiane ka arrestuar Adelina Lisi 40 vjeç dhe djalin e saj 23-vjeçar Hasan Lisi së bashku me dhëndrin rumun, Daniel Valentin Ungureanu 28 vjeç.
“BalkanWeb” ka siguruar fotot e shqiptares bashkë me djalin e saj.
Sipas mediave vendase, të arrestuarit u shisnin doza kokaine, marijuane dhe hashashi minorenëve dhe janë arrestuar në flagrancë në zonën e Lucca-s.
Brenda 2 viteve, kjo familje kishte blerë dy shtëpi, një sipërfaqe toke dhe një makinë. Pronat e tyre u sekuestruan nga policia italiane, vlera e të cilave shkon në 200 mijë Euro.
Gjatë operacionit të autoriteteve italiane, u sekuestruan 2 kg marijuanë, 1 kg hashash dhe 15 gram kokainë.
Hetimi ndaj familjes shqiptare kishte nisur më 27 Korrik të vitit të kaluar, dhe që prej asaj periudhe ata ishin mbajtur nën përgjim.
“Ju jeni njerëz të mirë. Kam 10 njerëz në shtëpi për të ushqyer. 10 vetë që duan të ushqehen me një rrogë“,- ka thënë Adelina, duke shpjeguar se djali i saj kishte kërkuar punë, por pa sukses./BW/