Mbi 90% e vdekjeve në vendin tonë shkaktohen nga shkaqe natyrore.
Vetëm gjatë vitit 2017, kanë ndërruar jete 22.232 shqiptarë, numër ky i cili rezulton më i lartë se ai i lindjeve.
Peshën kryesore këtu e mbajnë sëmundjet kronike të zemrës dhe tumoret. Nga zemra vdesin më shumë femrat ndërsa nga tumoret meshkujt mbajnë vendin e parë.
Sipas një raporti të publikuar nga Instituti i Statistikave mbi shkaqet e vdekjeve në Shqipëri, 90.1% e shqiptarëve vdesin për shkaqe natyrale, pra sëmundje të ndryshme, 0.9% kryejnë vetëvrasje dhe 2.1% vdesin në aksidente.
Në vitin 2017, 11.926 vetë kanë vdekur për shkak të sëmundjeve të zemrës, me 2.5% rritje nga një vit më parë dhe po me hapa kaq të frikshëm, është rritur numri i personave që kanë humbur jetën për shkak të tumoreve të ndryshme, me 2.1%.
Sipas statistikave ka një rritje të ndjeshme kur flitet për sëmundjet e kockave dhe kyçeve, me 42.3%, sëmundje të frymëmarrjes, të sistemit nervor apo sëmundje që shfaqen në periudhën rreth lindjes.
Nga klasifikimi i përgjithshëm i sëmundjeve, rezultojnë në rënie të ndjeshme numri i vdekjeve nga sëmundje të lëkurës, ndërlikimet gjatë shtatzanisë dhe lindjes, sëmundje infektive apo për shkak të traumave e helmimeve.
Grup-mosha më e prekur nga sëmundjet e zemrës, me 84.8% është ajo mes 50-80 vjeç por nga tumoret janë më të rrezikuar personat nga 40-49 vjeç, me 38.6% të numrit të vdekjeve.
Numri më i lartë i vdekjeve nga sëmundjet e zemrës në 2017 është shënuar në Berat dhe Kukës, me mbi 60%. Ndërsa në Shkodër është shënuar numri më i lartë i vdekjeve për shkak të tumoreve. Në Lezhë, numri më i lartë i vdekjeve është shënuar për shkak të dëmtimeve traumatike dhe helmimeve.
Ndërsa Elbasani kryeson për numrin e vdekjeve nga simptoma e sëmundje të papërcaktuara mirë./55news.al