Pasi emri i Ermalit, punonjës policie në Vlorë, u përmend gjatë audio-regjistrimit të publikuar nga Partia Demokratike, zbulohet identiteti i tij. Nga verifikimet e efektivëve të policisë së qarkut Vlorë, Ermal Haxhi, ka qenë i vetmi që ka pasur rol drejtues në periudhën Shtator-Dhjetor 2017, si shef stacioni në Policinë e Dhërmiut.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur verifikimet pas përmendjes së emrit të një punonjësi të policisë në qarkun Vlorës gjatë audio-regjistrimit të publikuar nga Partia Demokratike javën e kaluar.
Në atë përgjim, dëshmitari X, Albert Veliu dhe gazetari invesigativ, Jetmir Olldashi, pretendojnë se drogën përtej detit, do ta kalonin nëpërmjet efektivit me emrin Ermal.
I vetmi polic që ka pasur post drejtuesi në atë qark ka qenë Ermal Haxhi, i cili nga Shtatori deri në Dhjetor 2017 ishte shef stacioni në Policinë e Dhërmiut.
Për këtë emër, Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk jep informacion, duke thënë se është çështje në hetim dhe mund të dëmtohen provat. Ndërkohë paralelisht organi i akuzës po verifikon të gjitha tabulatet telefonike, të punonjësve të policisë së qarkut Vlorë, me emrin Ermal për të vërtetuar, nëse ka pasur bashkëpunim, ndërmjet efektivëve blu me trafikantët e lëndëve narkotike.
Përgjimi i kryer në lokalin e Agron Xhafaj nga Veliu ka ndodhur në Tetor të vitit 2017, ku sipas dëshmitarit Albert Veliu, pretendohet se për trafikun e drogës duhet të takohet me punonjësin e policisë të quajtur Ermal.
Të hënën, tre zyrtarë të Partisë Demokratike që denoncuan audio-përgjimin e një bisede për trafik drogë u paraqitën tek Prokuroria për Krimet e Rënda. Ata iu përgjigjën thirrjes së prokurorisë për t’u pyetur në lidhje me hetimin e nisur për rastin. Përveç deputetëve dha shpjegime edhe gazetari Jetmir Olldashi, personi që mori përsipër autorësinë e intervistës së Albert Veliut dhe të audiopërgjimit./ABCnews