Për gati tre vjet banorët e fshatrave Koçaj dhe Dushaj ia kanë dalë të bllokojnë zbatimin e një koncesioni për shfrytëzimin e një parcele pylli pranë tyre. Madje disa edhe u arrestuan pas protestave dhe kundërshtimit me forcë të koncesionit 10-vjeçarë që i jepte të drejtë kompanive “Almex-Wood” dhe ‘Lubima’ sh.p.k, për shfrytëzimin e pyllit pranë fshatrave.
Rezistenca e banorëve dhe një vendim i prefekturës së Dibrës në fund të vitit 2015, bllokuan ndërtimin e rrugës që do të shërbente për shfrytëzimin e pyllit, duke djegur afatet e lejes që kompania kishte për ndërtimin e saj.
Por ndërsa banorët iu gëzuan këtij fakti, Bashkia e Bulqizës pas një kërkesë të koncesionarit tentoi në fillim të majit të shtynte afatet e lejes së ndërtimit të rrugës përmes një projekt-vendimi, për të cilin kërkoi miratimin e Këshillit Bashkiak. Si rrallë herë ky i fundit u angazhua në debate që zgjatën disa orë, ndërsa këshilltarët e PS dhe PD akuzuan kryebashkiakun e LSI Melaim Damzi se po “tallej” me këshillin. Pas dy mbledhjesh bashkia, përmes juristit të saj, njoftoi tërheqjen e kërkesa për votimin e projekt-vendimit, duke thënë se këshillit i ishte kërkuar vetëm mendim.
Për banorët bllokimi i ndërtimit të rrugës është një fitore e pjesshme. Të thërritur në mbledhjen e këshillit pas ndërhyrjes së Prefektit të Dibrës Nexhmedin Shehu, një prej tyre akuzoi bashkinë se ndërsa nuk kishte bërë asnjë investim, po përpiqej tu merrte pyllin. “Bashkia nuk na ka bërë asgjë, qoftë edhe një kanal vaditës, tani don edhe të na marrë pyllin, të vetmen gjë që na ka dhënë Zoti, për të jetuar”, tha Bajram Disha.
Përballë tyre përfaqësuesi i kompanive që fituan koncesionin Kujtim Korra, u tha këshilltarëve bashkiakë se do të përballeshin me ligjin. “Unë të drejtën time do ta gjej, por kërkoj mirëkuptimin tuaj. Pra ejani të bashkëpunojmë, ndryshe do të përballeni me ligjin, pasi unë me atë kontratë përfaqësoj shtetin”, tha Korra i cili pretendon se koncesioni është i ligjshëm dhe se ai do ta shfrytëzojë pyllin për të cilin ka marrë leje.
Historia e koncesionit fillon në vitin 2015 kur ministria e Mjedisit dha leje për shfrytëzimin e parcelave pyjore pranë fshatrave Koçaj dhe Dushaj. Ashtu si në mjaft koncesione të tjera që kanë të bëjnë me burimet natyrore të zonës, banorët kundërshtuan, duke akuzuar se nuk ishin pyetur dhe se koncesioni prekte burimet e tyre jetësore. Madje ish-kryeplaku i njërit prej fshatrave Qemal Stafa, akuzoi se një shkresë e shkurtit 2015, në të cilën thuhet se komuniteti ishte dakord dhe që ishte nënshkruar prej tij ishte falsifikuar. “Në asnjë rast nuk është e firmosur nga unë”, tha Stafa duke thënë se kishte kërkuar hetimin e falsifikimit.
Megjithatë kompanitë koncesionare “Almex-Wood” dhe ‘Lubima’ shpk, tentuan të fillonin punën për ndërtimin e rrugës që do tu mundësonte shfrytëzimin e parcelave. Banorët kundërshtuan me forcë duke u përplasur me kompaninë dhe policinë e cila shoqëroi disa prej tyre.
Pas protestave të banorëve, Partia Demokratike akuzoi se përfituesit e koncesionit kishin lidhje fisnore me funksionarë të lartë të LSI, e cila atëherë kontrollonte Ministrinë e Mjedisit dhe lëshoi lejen vetëm pak kohë para se të hynte në fuqi moratoriumi për pyjet.
Në nëntor 2015, pas një peticioni të 224 familjeve, të cilët pohonin se nuk ishin dakord me shfrytëzimin e pyjeve nga koncesionari, me pretendimin se një gjë e tillë sjell për ta dëme të mëdha mjedisore dhe u rrezikon furnizimi me ujë të pijshëm, vaditës dhe lëndën drusore, prefektura e Dibrës urdhëroi “pezullimin e punimeve për hapjen e rrugës auto-pyjore. Kompania kundërshtoi vendimin e prefektit si të jashtëligjshëm, por puna për hapjen e rrugës u bllokua.
Banorët thonë se rezistuan edhe pse gjatë gjithë kohës ishin nën presion. “Na është bërë presion nga policia, askush nuk na ka mbrojtur. Firma është munduar të futet fshehtas në pyjet tona”, tha Bajram Disha. Bllokimi i ndërtimit të rrugës e bllokoi koncesionarin, i cili po ashtu humbi edhe afatet e parashikuara në leje për ndërtimin e saj.
Por në fillim të majit Bashkia e Bulqizës u përpoq t’i shtynte afatet për ndërtimin e rrugës përmes një vendimi të cilin kërkoi ta votonte në Këshillin Bashkiak. Vendimi bazohej në një ankesë të koncesionarit i cili i kërkonte bashkisë që të ndërmjetësonte me banorët për të mirat e koncesionit. “Të punojë me komunitetin, për t’i bindur ata në të mirat që do të kenë nga zbatimi i kësaj kontrate koncensionare”, thuhej në kërkesën që kompanitë i dërguan bashkisë.
Duke i renditur disa arsye si pengesa për zbatimin e koncesionit, koncesionari kërkoi nga bashkia Bulqizë, shtyrjen e afatit të hapjes së rrugës deri më 19 shtator 2018. Mbi bazën e kësaj kërkese bashkia Bulqizë hartoi një projekt-vendim të cilin ia përcolli për miratim këshillit bashkiak me objekt: “ Për miratimin e kërkesës së Shoqërisë Almex-Ëood, K. Korra dhe Lubima-shpk, për shtyrjen e afatit të hapjes së rrugës auto-pyjore, të cilën e ka të miratuar në kontratën koncesionare nga ish Ministria e Mjedisit me kontratë nr. 3687 prot. datë 25.05.2015”.
Por projekt-vendimi solli debate të ashpra në mbledhjen e Këshillit Bashkiak dhe pas disa orë debatesh bashkia nuk siguroi dot votat për ta kaluar atë. Vendimi u la të diskutohej në një mbledhje të dytë, por këtë herë me kërkesë të Prefektit të Qarkut Dibër Nexhmedin Shehu, u kërkua që të pranishëm të ishte edhe një përfaqësi nga banorët e fshatrave.
Pas kësaj përfaqësuesi i bashkisë në mbledhje, juristi Denis Zholi, kërkoi tërheqjen e bashkisë nga ky projekt-vendim. Sipas tij këshilli nuk kishte kompetencë, për zgjatjen e afatit të kontratës koncensionare. “Bashkia kërkon të miratohet ndërtimi i kësaj rruge, por nuk kërkojmë vendim-marrje nga këshilli, pasi nuk është kompetencë e tij, zgjatja e afatit të kontratës koncesionare. Nuk kërkojmë vendimmarrje, por vetëm opinione të këshilltarëve”, tha Zholi.
Qëndrimi i ri i bashkisë solli reagim të këshilltarëve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Munir Sinani, kreu i grupit të këshilltarëve socialistë, tha se këshilli nuk ishte për të dhënë opinione, por për të miratuar vendime. “Kryetari Damzi, bëri lobing një javë më parë, për të miratuar një projekt-ligj të jashtligjshëm. Mosmarrveshjet dhe konfliktet mes banorëve dhe koncensionarit të zgjidhen nga institucionet dhe gjykata”, tha Sinani. Këshilltarët e djathtë, Ardian Hida dhe Edmond Isaku, akuzuan kryebashkiakun Damzi, se ishte tallur dhe po luante ping-pong me këshillin, “duke sjellë në këshill për miratim ligje paçavure”.
Nga ana e saj kompania koncesionare tha se nuk do të hiqte dorë. Kujtim Korra, përfaqësuesi i firmës koncensionare, i cili po ashtu ishte pjesmarrës në këtë mbledhje të këshillit bashkiak, tha se kompania do e “gjente të drejtën e saj”. “Unë disponoj një leje për shfrytëzimin e pyllit dhe ju garantoj se do ta shfrytëzoj atë konform të gjitha rregullave”, tha ai. Kompania po ashtu pretendoi se i ishte shkaktuar ndër të tjera dëm 100 mijë euro nga djegia e një makinerie gjhatë protestave.
Banorët që ishin të pranishëm kundërshtuan përpjekjen e bashkisë për të shtyrë afatet e lejes, ndërsa thanë se do ta kundërshtonin me çdo kusht koncesionin. “Firma e përkrahur nga bashkia e policia, kërkon ta bëjë edhe këtë parcelë pyjore për ta mbjellë thekër, siç dhe janë bërë parcelat e tjera rrotull saj. Pavarësisht presioneve, me ma heq kokën, pyllin do vazhdoj ta ruaj” tha Pëllumb Xhaferri, një banor i fshatrave që preken. Banorët thanë se parcela që ata po mbronin ishte e vetmja e ruajtur në zonë dhe se jeta e tyre varej nga pylli pranë fshatit. BIRN