Mbytja e të miturit/ Punonjësi i hotelit: E ndihmova, por nuk munda ta shpëtoja

E mërkurë, 23 May 2018 13:08

Punonjësi i hotelit në Golem ku u mbyt një fëmijë në pishinë gjatë ditës së sotme ka rrëfyer ngjarjen e rëndë. Punonjësi i hotelit Idai Zaka thotë se fëmija i vetëm 3-vjecar, M.Xh kishte ardhur bashkë me gjyshen e tij, pasi kjo e fundit ishte punësuar aty për të bërë gati sezonin veror.

Punonjësi thotë se ka nxjerrë të miturin nga pishina dhe ka tentuar t’i japë ndihmën e parë me frymëmarrje, por i mituri nuk kishte asnjë shenjë jete. “Atë e kishte marrë gjyshja e vet, e cila ishte punësuar këtu për t’u bërë gati me punimet për sezonin veror. Ajo e ka lënë fëmijën në katin e parë dhe është ngjitur lart në katin e dytë. Më pas ajo nuk po e gjente. Ne shkuam tek pishina dhe e gjetëm brenda në pishinë. Kur e nxorëm nga uji u munduam t’i japim ndihmën e parë, por ai nuk kishte shenja jete”- ka thënë punonjësi i hoteli, raporton ‘BalkanWeb’. Ndërkohë mësohet se nëna e të miturit nuk e ka marrë vesh ende lajmin e kobshëm për djalin e saj të vetëm. Trupi i të miturit është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore në spitalin e Durrësit.

Modifikuar më E mërkurë, 23 May 2018 13:32
Login to post comments