Shpallen datat për provimet e maturës shtetërore për sesionin e dytë. Në këtë sesion kanë të drejtë të hyjnë të gjithë maturantët të cilët rezultojnë mbetës në një ose më shumë provime të Maturës Shtetërore në sesionin i parë.
Ata që rezultojnë mbetës dhe i shlyejnë provimet shkollore brenda datës 22 gusht 2018, kandidatët që kanë mbaruar shkollën e mesme para vitit 2017, por që nuk kanë shlyer detyrimet e Maturës Shtetërore si dhe ata që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë të njësuar dokumentet shkollore nga MASR-ja.
Sipas udhëzimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe të botuar në fletoren zyrtare, datat e caktuara për provimet janë: Për gjuhën e huaj, 27 gusht, për gjuhën shqipe, 30 gusht ndërsa matematika më 3 shtator dhe provimi me zgjedhje në datë 7 shtator.
Në udhëzim bëhet e qartë se drejtoritë e shkollave duhet të dorëzojnë në drejtorinë arsimore rajonale brenda datës 23 gusht listën e kandidatëve që do të marrin pjesë në provimet e maturës shtetërore. Në datë 24 gusht DAR/-ZA-t duhet ta dërgojnë këtë listë në Qendrën e Shërbimeve Arsimore.