Turizmi shqiptar duket se ka bërë një ndalesë të papritur gjatë muajit të kaluar, kur hyrjet e shtetasve të huaj regjistruan një rënie të lehtë me 2.2%.
Kjo përkthehet në rreth 8 mijë vizitorë më pak, nga të cilët mungesat më të mëdha janë nga Greqia, Anglia dhe Italia.
Ulja e vizitave nga këto vende ku ka një numër të lartë emigrantësh shqiptarë, mund të shpjegohet edhe me përkimin e festës së Pashkëve në fillim të muajit, ndryshe nga një vit më parë, kur përkonin në mes të Prillit.
Nga Greqia regjistrohen mbi 10 mijë vizitorë më pak, ndërsa nga Italia dhe Anglia ulja është me rreth 2 mijë vizitorë nga secili vend.
Gjatë prillit është rikthyer në rënie edhe numri i shtetasve nga Kosova që hyjnë në Shqipëri. Me rreth 4800 vizitorë më pak nga një vit më parë, këto të dhëna ngrenë shqetësime për turizmin pritës gjatë stinës së verës.
Megjithatë, të dhënat progresive qëndrojnë pozitive dhe flasin për një rritje me 7% të turizmit gjatë 4 muajve të parë të vitit. Në total janë mbi 77 mijë vizitorë më shumë për periudhën Janar-Prill.
Sa i takon qëllimit të vizitave, vetëm 168 mijë kanë deklaruar në pikat e kalimit kufitar në Shqipëri se kanë hyrë për pushime, një shifër në rënie me 28.3% krahasuar me Janar-Prill 2017. Në rritje janë arsyet personale, vizitat njëditore si dhe segmenti i shtetasve që hyjnë për arsye biznesi dhe profesionale.
Në këtë periudhë, regjistrohet edhe një rritje me 5.1% e daljeve të shqiptarëve, që shoqëron trendin vjetor, ku ndryshimi është tashmë 5.9%. Në katër muajt e parë të vitit, janë mbi 1.5 milionë shqiptarë që kanë dalë nga kufijtë e vendit.
Për nga mënyra e udhëtimit, shtetasit shqiptarë dhe të huaj që kanë përdorur transportin ajror janë në rritje me 11.4% në hyrje dhe 10.6% në dalje.