Një aksident ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Athinë ku ka mbetur i vdekur një person dhe janë plagosur 4 të tjerë. Sipas mediave greke, një makinë “Volkswagen” që drejtohej nga një shtetas shqiptar rreth orës 8:20 mori përpara njerëzit që ishin duke pritur në një stacion autobusi, duke lënë të vdekur një 65-vjeçar dhe 4 të tjerë të plagosur.
Mes të plagosurve, është vetë drejtuesi edhe vajza 9-vjeçare e shqiptarit e cila nuk ishte e lidhur me rripin e sigurisë por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
“Pashë viktimën e bllokuar midis kolonës dhe makinës”,- tha një grua dëshmitare e ngjarjes vetëm disa minuta pas aksidentit, shkruan “protothema.gr”.
Kryebashkiaku duke folur për “Prothothema” e ka quajtur të pashpjegueshëm aksidentin, duke shtuar se rruga është e drejtë dhe nuk ka kthesa.
“U përplasëm”, bërtiste vajza shqiptare pas aksidentit teksa e transportuan me urgjencë drejt spitalit. Ajo ka treguar se i ati po e çonte në shkollë kur ndodhi aksidenti.
Dëshmitarët në vendngjarje thanë se, u plagos lehtë edhe një i moshuar 78-vjeçar, i cili po priste në trotuar.