Këshilli Papnor për dialogun ndërfetar ka uruar të gjithë besimtarët për muajin e shenjtë të Fiter Bajramit. Ky mesazh urimi është dërguar për të gjithë besimtarët mysliman e të krishterë nga qyteti i Vatikanit.
Në mesazhin e Këshillit Papnor shkruhet se për një paqe ndërfetare është e rëndëishme që të pranojmë dallimet midis feve tona.
“Për të parandaluar dhe kapërcyer këto pasoja negative është e rëndësishme që ne, të krishterët dhe myslimanët, duke i pranuar dallimet tona, le të kujtohemi për ato vlera fetare dhe morale që i ndajmë bashkë.” shkruhet në mesazh.
Mesazhi nga Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar:
Të dashur vëllezër dhe motra myslimanë,
I Gjithëpushtetshmi në Provaninë e Tij ju ka dhënë mundësi që ta mbani sërish agjërimin e Ramazanit dhe të kremtoni Fitër Bajramin.
Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar e vlerëson rëndësinë e këtij muaji si dhe orvatjet e mëdha të myslimanëve të të gjithë botës për të agjëruar, për t’u lutur dhe për të bashkëndarë me më të varfërit dhuratat e të Gjithëpushtetshmit.
Të vetëdijshëm për dhuratat që burojnë prej Ramazanit, ne bashkohemi me ju për ta falënderuar Zotin e mëshirshëm për dashamirësinë dhe bujarinë e Tij, dhe ju bëjmë urimet tona më të përzemërta.
Përsiatjet që dëshirojmë të ndajmë me ju në këtë rrethanë lidhen me një aspekt jetik të marrëdhënieve mes të krishterëve dhe myslimanëve: me nevojën për të kaluar nga konkurrimi tek bashkëpunimi.
Në të kaluarën marrëdhëniet mes të krishterëve dhe myslimanëve shumë shpesh kanë qenë shënuar nga një frymë konkurrimi, pasojat negative e së cilës janë: xhelozi, akuza dhe tensione. Në disa raste këto kanë çuar në përplasje të dhunshme, veçanërisht kur feja është përdorur si vegël, sidomos për shkak të interesave personale dhe për motive politike.
Një rivalitet i tillë ndërfetar e ka shënuar në mënyrë negative shëmbëlltyrën e feve dhe të ndjekësve të tyre, duke ushqyer idenë se ato nuk janë burime paqeje, por tensioni dhe dhune.
Për të parandaluar dhe kapërcyer këto pasoja negative është e rëndësishme që ne, të krishterët dhe myslimanët, duke i pranuar dallimet tona, le të kujtohemi për ato vlera fetare dhe morale që i ndajmë bashkë. Duke e njohur atë që kemi të përbashkët dhe duke treguar respekt për dallimet tona të ligjshme, ne mund të vendosim, me ngulmim edhe më të madh, një themel të shëndoshë për marrëdhënie paqësore, duke kaluar prej konkurrimit dhe prej përplasjes tek një bashkëpunim i efektshëm për të mirën e përbashkët. Kjo është veçanërisht në dobi të atyre që janë më shumë nevojtarë dhe na mundëson të gjithëve që të japim një dëshmi të besueshme të dashurisë së të Gjithëpushtetshmit për mbarë njerëzimin.
Të gjithë ne kemi të drejtën dhe detyrën që të japim dëshmi për të Gjithëpushtetshmin, të Cilin e adhurojmë, për të ndarë besimet tona me të tjerët, duke respektuar fetë e tyre dhe ndjenjat e tyre fetare.
Që të mund të nxisim marrëdhënie paqësore dhe vëllazërore, duhet të punojmë së bashku dhe ta nderojmë njëri-tjetrin. Në këtë mënyrë do t’i japim lavdi të Gjithëpushtetshmit dhe do t’i japim shtysë harmonisë në shoqërinë tonë, që është gjithnjë e më tepër shumëetnike, shumëbesimesh dhe shumëkulturash.
Në përfundim, po ju përsërisim urimet tona më të mira për një agjërim të frytshëm dhe një Bajram të gëzueshëm, dhe ju sigurojmë për solidaritetin tonë në lutje.
Prej Vatikanit, më 20 prill 2018
Kardinal Jean-Louis Tauran
President
+ Imzot Miguel Ángel Ayuso Guixot, MÇJ
Sekretar