Shqiptarët për shqiptarët” udhëtuan në Gostil të Kukësit, ku ka pllakosur skamja. Këtu fjalët të ngecen në grykë, e këto dy të moshuar jetojnë duke shpresuar që kjo dhimbje të mbarojë. Nuk kanë asnjë ditë të lumtur, nuk janë ngopur kurrë me ushqim, nuk kanë fjetur një herë në një shtrat të rehatshëm. “Është e vështirë, s’kalohet jeta këtu me një dhomë, çfarë bie jashtë bie brenda”. Rustemi dhe Shpresa, jetojnë në këtë gjendje që prej 6 vjetësh, kur papritur shtëpia e ndërtuar me kallamishte u shkrumbua nga flakët e zjarrit.
“Ju po e shihni vetë, mos të kesh ku me vdek” thotë. Ata nuk kanë fëmijë, jetojnë të vetmuar, në fshatin Gostil, në periferi të Kukësit. Kur e pyet Shpresën se sa vjeç është, ajo thotë se nuk e mban mend. “Që prej gjashtë vjetësh jam këtu, mu ka djegur shtëpia, pension nuk marr. Na ka mbajtur shoqëria, na kanë sjellë ushqime shkolla, xhamia na ka ndihmuar”. Ajo ka harruar edhe veten, nuk e di as se përse jeton. Mjerimi e ka shpërfytyruar, e ka rrënuar shpirtërisht, e ka mpakur fizikisht, ia ka shtuar rrudhat mbi ballë dhe zemrën ia ka bërë copë e thërrime. Por a ka patur Shpresa ndonjëherë një ditë të lumtur?