Nga dosja hetimore e grupit shqiptar që falsifikonte viza amerikane dhe kanadeze kanë dalë detaje të reja.
Fjala është për grupin prej 17 anëtarësh që trafikonin emigrantë drejt SHBA-ve dhe vendeve të BE-së, duke përdorur viza të falsifikuara.
Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka pasur në përgjim anëtarët e grupit që nga viti 2016. Komunikimet mes tyre bëheshin kryesisht përmes aplikacioneve “Whatsapp” dhe “Viber”, por nuk mungojnë edhe telefonatat.
Në grupin e falsifikatorëve pjesë ishte edhe efektivja e Policisë, Entela Çala, e cila u la nga Gjykata e Krimeve të Rënda në masën “arrest shtëpie”.
Policja ka kryer veprime të paligjshme duke fshirë nga regjistrat elektronikë gjobat e disa prej anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka prova si përgjimet telefonike e SMS ku Çalës i kërkohet që të fshijë gjobat si nga anëtarët e grupit, ashtu edhe nga kolegu i saj i arrestuar, Arjan Uka, shkruan Panorama.
Si ndërmjetës shërben shtetasi A. Xh., që është bashkëjetuesi i polices. Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë, në telefonin e Entela Çalës janë gjetur SMS të shumta të targave të automjeteve, disa prej të cilave u përkasin anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal.
Nga verifikimet që ka bërë Prokuroria, rezulton se në sistem këto gjoba për këto targa mjetesh janë fshirë nga oficerja e Policisë. Kështu, Prokuroria thotë se provohet se Entela Çala, duke shpërdoruar detyrën, i ka fshirë këto gjoba duke përfituar shuma parash të dhëna nga shtetasi A.Xh.
Gjithashtu, shtetasja Entela Çala ndihmonte me të dhëna të tjera të siguruara për shkak të detyrës A.Xh. edhe pjesëtarë të tjerë të këtij grupi kriminal.