Arben Grori ka folur kohe me pare për mediat duke shpjeguar pjesëza nga jeta e tij në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, ku hyri pasi akuzohet se vrau në spital Naim Zyberin, i dyshuar si vrasës i vëllait të tij, Arturit në korrikun e vitit 1997.
Të dy ishin pjesë e asaj që quhej “të fortët” e Tiranës, grupe të rinjsh që bënin “ligjin” në lagje të ndryshme të kryeqytetit, por që thuajse të gjithë patën një fat të keq, shumica u vranë dhe të tjerët u arratisën ose gjenden në burgje për krime të rënda.
Grupet
Vrasjet nisin me Gaz Muçën si lider i bandës së “Rr. Bardhyl” të cilët shpejt gjetën rival bandën e Naim Zyberit, ndërsa mes tyre për shumë e shumë gjëra do të nisnin edhe vrasjet. Nuk pushojnë ekzekutimet, ndërkohë që do të nisnin të lindnin edhe grupet e tjera, me anëtarë më të rinj, por që shpejt do të ngriheshin në skenën e krimit me një sërë aktesh kriminale të pashoqe. Që aso kohe, thuhej se të fortët e Tiranës bridhnin me armë në brez, ndërsa shpejt filluan të tregojnë dhëmbët e mbisundimit. Policia as që mund të bënte më të voglin reagim ndërsa nisnin të vriteshin me “skorpions”, “tomson”, “antitank” e “snajper”, derisa në skenën e vrasjeve del edhe pistoleta me selenciator. Policia humb gjurmët sa herë i duhej, ndërsa krimi i Tiranës nuk mund të ishte më ai i rrugës; shpejt do të kthehej në i sofistikuar për të mbërritur në vitin 2003, ku bumi i vrasjeve jashtë grupeve, por i disa emrave do të arrinte edhe kulmin e vet. Policia sërish ishte “non grata” për të qenë ekzistente dhe efiçente; mbartte nga e shkuara e saj sërish faktin, larje hesapesh.
Emrat e bujshëm të grupeve
Bandat nisen të hakmerreshin për emrat e shokëve të tyre që vriteshin nga anëtarë të bandave të tjera, ndërkohë që mes tyre shpejt do të nisnin të hynin edhe droga, trafiku i armëve si dhe paraja. Shpejt elementët e pasurimit i zunë vendin hakmarrjes së verbër, ndërkohë asgjë nuk ndalonte më ekzekutimet e tipit mafioz. Gjithçka nis me Denis Ginën, të cilit i zihet pritë në Breg të Lumit me një anti-tank duke e vrarë vet të dytin; ndërkohë që kishin rënë Gaz Muça, Artur Grori, Naim Zyberi, dhe një sërë “ushtarësh” të tyre. Kishin nisur të binin të fortët e parë, ndërkohë adoleshentë që rekrutoheshin në grupe të tjera dhe emra që më vonë s`do të mbesnin më në kuadër grupesh të njohura nëpër Tiranë, por do të merrnin përsipër një sfidë të hapur ndaj policisë, njerëzve të pasur dhe gangster të lidhur me shtetin, por që ishin jashtë “linjës” së tyre dhe thuajse në çdo javë Tirana përjetonte vrasje nga më të ndryshmet. Shumë pak prej tyre janë zbardhur, por që thuajse një pjesë e mirë e funksionimit të këtyre grupeve do të njihej.
Vrasje të bujshme
1.- Gaz Muça, i vrarë më 7 prill të vitit 1992, tre muaj pasi ishte kthyer nga Gjermania. Në atë kohë dy grupet rivale në Tiranë ishin ato të Gaz Muçës dhe Naim Zyberit. Ky i fundit arrestohet pas vrasjes së Muçës dhe del nga burgu gjatë trazirave të ’97-ës
2.- Artur Grori, vritet me plumb në zemër para derës së shtëpisë më 2 korrik të vitit 1997. Për këtë vrasje akuzohet Naim Zyberi, i cili largohet më pas në Itali
3.- Në fund të vitit 1999, Naim Zyberi plagoset në Milano të Italisë dhe ekzekutohet në spital disa muaj pas vrasjes së Artur Grorit. Për vrasjen e Naim Zyberit, Prokuroria italiane akuzoi Arben Grorin, vëllain e Arturit, i cili ndodhet në burg në Shqipëri
4.- Taulant Muça i vrarë më 31 korrik të vitit 1998. Për vrasjen e tij akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Besnik Keta dhe Dorian Stafa. Prokuroria dyshon se Besnik Keta e ka vrarë Taulant Muçën për t’u hakmarrë për ekzekutimin e vëllait të tij, Fatos Keta
5.- Në vitin 1999 ekzekutohen me antitank Denis Gina dhe Medjan Shehu, teksa po udhëtonin me një fuoristradë të blinduar në Fushën e Druve në Tiranë. Për këtë vrasje u akuzuan Ilir Bardhi dhe Genc Ferhati
Pas Franc Konomit…!
Atentati ndaj 42 vjeçarit nga Tirana ishte e pamundur të mos kthente në vëmendjen e kujtdo histori të bujshme krimi në vend. Ka emra që mbeten sërish në përditshmëri si pjesë atyre grupeve kriminale, por që në të vërtet asnjëherë nuk janë njohur si të tillë. Madje ka edhe emra që tashmë gjenden nën hetim, gjykim dhe dënim që drejtësia jonë kurrë nuk iu faktoi të qënurit organizatë kriminale, e që në të vërtet nën zë gjithnjë është thënë për ta se janë pjesë e klaneve të fuqishme. Vrasjet e bujshme të Tiranës, ku viktima nuk janë njerëz me precedentë penal të këtijllojshëm, kanë nxjerr në pah tjetër fakt; atë të anashkalimit të policisë dhe të prokurorisë për të gjithë komponentët real të krimit të organizuar. E nëse bandat rivale vrisnin njëri-tjetrin ca eksponentë mjaft të fuqishëm, pse jo edhe të mbështetur nga një mori aktorësh të tjerë, janë të dyshuar si atentator të një sërë emrash që s`jetojnë më dhe që për ta, s`ka as autorë dhe as shkaqe..!*
Grupet që janë kthyer në individë…!
Shumë prej grupeve që nga të fortët e Tiranës u kthyen në përbindësha të grupeve rivale, tashmë duket sikur nuk ekzistojnë më; ndoshta ngaqë edhe shumë janë ekzekutuar, të tjerë janë larguar dhe ata pak që kanë mbetur për shtetin janë të izoluar. Ka nga grupet që thuajse janë zhdukur fare dhe nuk ka mbetur më asnjë nga “lavdia” e tyre, por ka të tjerë që befasojnë me eksponentë të veçantë të cilët ende nuk janë konsideruar si pjestarë të njërit apo tjetrit grup. Ka edhe shumë emra të tjerë të vrarë që kurrë nuk janë etiketuar pjesë grupesh, por që pas tyre gjendej një eskortë kriminale që thuhej aso kohe se kishin edhe mbështetje politike.
Ndoshta kjo erdhi nga ndikimi i madh në jetën shoqërore sidomos në rrethet e tyre të afërta, ndërkohë që policia edhe prokuroria e Tiranës janë nisur disa herë të ndërmarrin hapjen e dosjeve të vjetra por pa ia arritur të zhbllokojnë ngërçin e madh të mos mundësisë së pararendësve të tyre për të saktësuar autorësitë vrasjeve të shumta në kryeqytet. Pas ekzekutimit të Franc Konomit ende nuk dihet se kush fshihet, ndonëse policia ka dy pistat e mundshme si shkak dhe dy të tjerë për autorësinë e kryerjes së atentatit.* .
Dy klanet që shuan “Djemtë e Rrugës së Kavajës”
Nuk do të kalonte shumë kohë nga krijimi i tij, deri sa djemtë e bandës së Rrugës së Kavajës do të përçaheshin. Megjithëse fillimisht vepronin së bashku më 1999, “Djemtë e Rrugës së Kavajës” do të ndaheshin në dy klane kundërshtare. Shkaku i përfolur i kësaj ndarjeje mësohet se ishte shuma prej 200 milionësh, të cilën e kishin përfituar pas pengmarrjes së një tregtari të njohur nga Tirana. Në 27 mars të vitit 1999, në rrugën “4 shkurti”, pranë ish-“Bllokut”, i pari në radhë, u ekzekutua Ervin Borova. Ky shënoi dhe vrasjen e parë mes djemve të grupit për të vijuar me të vëllain e tij, Ergysin dhe më pas me një mori të tjerësh që duket sikur do të shuheshin fise të tëra me të njëjtin mbiemër. Zinxhiri i vrasjeve në këtë bandë do të shkonte mbi 20 të vrarë, disa të plagosur ndërkohë që policia në të gjithë historinë e ekzistencës së tyre do të vinte në pranga vetëm 4 persona, ku ka emra që spikasin edhe në të tjera krime. Gjithë moria e hakmarrjes së këtij grupi, ndër më të përgjakshmit në Tiranë do të vijonte për rreth 3 vite ndërsa do të shuheshin njeri pas tjetrit një mori emrash.
“Banda e Selitës”, rivalët e përjetshëm të Yzberishti
Rrëfimi për një nga vrasjet më të bujshme në Tiranë policia e nis kështu: Atë natë është qëlluar me pistoletë Ardian Tahiri, 39 vjeç, ndërkohë që autori gjatë tentativës për ta vrarë, ka plagosur edhe Roland Cakën, 33 vjeç. Më pas, ai është larguar nëpër errësirë, ku e ka pritur edhe një makinë për t‘u arratisur pa lënë gjurmë. Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes, pavarësisht se ka pasur shumë dëshmitarë, e ka pasur të vështirë, të zbardhë detaje, pasi autori është një prej krerëve të ashtuquajturës “Banda e Selitës”. Asnjë nuk ka preferuar të flasë nga frika e ndonjë konflikti të mundshëm. Por, pas dy ditësh, policia ka zbardhur edhe motivin e kësaj ngjarjeje të rëndë. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, autori i dyshuar është Fatmir Avdillari. Ai ka rreth dy muaj që është liruar nga burgu. Ai ka qenë duke vuajtur dënimin prej 12 vjetësh, pasi në bashkëpunim me vëllezërit e tij dhe shumë persona të tjerë, akuzohej se kishte vrarë shumë persona dhe kishte kryer një sërë grabitjesh. Por, tashmë, ai dyshohet dhe akuzohet për një tjetër vrasje, atë të Ardian Tahirit.
Djemtë e “Rrugës Bardhyl” kundër atyre të “Trenit të vjetër”
Kuksiani, Naim Zyberi do të arrestohej pikërisht për vrasjen e Gazmend Muçës bashkë me Franc Konomin që për këtë të fundit nuk u mor vesh asnjëherë se si arriti jo vetëm të dilte atëherë por edhe si mundi të shpëtonte nga hakmarrja e bandës së rrugës “Bardhyl” dhe të zemërimit të Arben Grorit. Franc Konomi u akuzua edhe për disa akte të tjerë të rënda kriminale, ndërkohë hetimi kurrë nuk ia hoqi emrin e tij nga vrasja e 18 viteve më parë, ndërsa kurrë nuk mundi të faktonte pjesëmarrjen e tij në atë vrasje dhe aq më pak në akuzat e tjera. Praktikisht, vrasje e pak ditëve më parë u mendoua dhe vazhdohet të mendohet se erdhi për larje hesapesh të vjetra, përderisa Konomi, bashkë me Naim Zyberin, dyshohen si një nga autorët e ekzekutimit me breshëri automatiku të Muçës më 7 prill 1992 te zona e njohur si “Xhamlliku”. Vrasja e tij e cila ndodhi në mes të Tiranës, duket se ka mbyllur një serial të vjetër hakmarrje e konfliktesh mes personazheve të konsideruar si “të fortët e viteve 90 në Tiranë”. Gazmend Muça u vra me një breshëri Kallashnikovi në 7 prill 1992 në Tiranë. Policia akuzoi për vrasjen e Gazmend Muçës, Naim Zyberin dhe Franc Konomin, miq të viktimës, të konfliktuar me Gaz Muçën për shkaqe banale.
“Djemtë e Rrugës së Durrësit”, me historinë e mjegullt
Një vendim gjykate që u dha pak kohë më parë do të sillte në kujtesën e shumëkujt ngjarjen e vitit 1999, btë 8 gushtit ku u vra Edgar Libohova. Viktima ishte anëtar i djemve të Rrugës së Durrësit dhe ai qyq qëlloi mbi të ishte rivali i rrugës së Kavajës. Vrasja ndodhi mëngjesin e 8 gushtit te lokal “Palma” në Rrugën e Kavajës ndërsa kishte nisur në fund të vitit 1997 kur Edgar Libohova, shënjestra e atentatit, ishte përplasur me makinë me motoçikletën e Shehut. Shehu, që tashmë ndodhet në qeli i dënuar me 8 vjet për shfrytëzim prostitucioni, për t’u hakmarrë armatoset bashkë me shokun e vet Ardian Ibrahimi, i njohur me pseudonimin “Katali” vrasin Libohovën te lokal “Palma”. Duke mos kontrolluar plumbat ata goditin 7-vjeçarin Angjelin Haxhi që vdiq më pas në spital, të atin e tij Kosta Haxhi, si dhe Xhevair Ndoin, që ndodheshin rastësisht aty. Historia e kësaj vrasjeje do të mbetet gjatë në mendje, ndërkohë shumë emra të kësaj bande asnjëherë nuk u identifikuan si të tillë. Ka prej tyre që vazhdojnë të jenë ende gjallë e madje trë akuzuar për një sërë atentatesh të bujshme