Dje në ambientet e Kontrolli të Lartë të Shtetit u zhvillua ceremonia e kremtimit të 93 vjetorit të krijimit të institucionit. Në këtë ceremoni ishin të ftuar të merrnin pjesë ish drejtues të institucionit në vite dhe ish punonjës të dalë tashme në pension si dhe stafi i KLSH.
Të mbledhur në ambientet e Muzeut të institucionit, i cili ka marrë emrin “Këshilli Kontrollues 1925-1939”, Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj mbajti një fjalë përshëndetëse për të pranishmit.
Në fjalën e tij zoti Leskaj theksoi se kujtesa historike është një nga përbërësit më të fuqishëm në krijimin e identitetit të qëndrueshëm jo vetëm të një kombi, por edhe të një institucioni kryesor shtetëror.
Vlerësimi i historikut të çdo institucioni ndërgjegjëson punonjësit e tij për vlerat e institucionit të shtrira në vite dhe të vyera për rolin kushtetues që ai ka, por edhe për përgjegjësinë që çdo auditues mbart kur përfaqëson institucionin me punën, sjelljen dhe rezultatet e tij.
Së dyti, si copëz historie, historiku jo vetëm shfaqet mjaft i dobishëm për cilindo qytetar që kërkon të njohë evoluimin në vite të institucioneve tona, por edhe për ata që duan të kontribuojnë në rritjen e cilësisë dhe efikasitetit të këtyre institucioneve.
Kujtesa historike i shërben po ashtu pasurimit të dijeve të brezit të ri dhe kontribuon në pasurimin e asaj kulture ligjore dhe institucionale që duhet të kenë së pari vendim-marrësit publikë, por edhe çdo qytetar shqiptar i përgjegjshëm, i interesuar për shtetin dhe mënyrën e funksionimit të tij.
Formësimi i kulturës së institucioneve tona shtetërore me vlerat dhe përgjegjësitë e tyre përbën një prej objektivave të rëndësishëm të projektit të evropianizimit të administratës shqiptare, të forcimit të shtetit ligjor dhe punës për një qeverisje të mirë.
Me vlerësimin maksimal qytetar, stafi i sotëm i KLSH-vijoi z.Leskaj- përkulet përpara figurave dhe personaliteteve që kanë drejtuar këtë institucion, veçanërisht në vitet 1925-1944, si Kol Thaçi, Lac Gera, Llambi Aleksi, Lame Kareco, Eqerem Libohova, Xhafer Ypi, Rrok Gera, Fejzi Alizoti, Izedin Beshiri dhe të tjerë më tej.
Vlerësojmë po ashtu punën reformuese të kryer nga Dr. Blerim Çela, ish-Kryetar i KLSH në vitet 1992-1997 dhe Mustafa Kërçuku ish-Kryetar në vitet 1997-2004, si dhe kontributin e ish-kryetarëve Zydi Pepa, Ylli Memisha, Alfred Karamuço e Robert Çeku, ish-kryetar deri në vitin 2011.
Si institucion i pavarur, nëpërmjet këtij aktiviteti për 93 vjetorin e krijimit të KLSH-së dëshirojmë të vijojmë traditën e mirë të vlerësimit institucional të veprimtarisë, duke kontribuar në kulturën e vlerave dhe të përgjegjësisë publike në vend, për t’ia kundërvënë “kulturës” së harresës.
Në mbyllje të fjalës së tij, z.Leskaj iu referua Presidentit te SAI-t Polak, z.Kwiatowski, i cili referuar historikut të NIK është shprehur se audituesit e sotëm kanë përgjegjësinë e punës së brezave paraardhës që do të thotë se me dije, profesionalizëm dhe integritet duhet që punën e tyre ta respektojnë, vlerësojnë dhe ta ngrenë në një shkallë më të lartë.
Më pas audituesit e KLSH-së u danë në tre salla të ndryshme sipas strukturave në të cilat bëjnë pjesë dhe shkëmbyen përvojat dhe eksperiencat e tyren në funksion edhe të periudhës gjatë së cilës kanë punuar në KLSH. Me interes nga audituesit u ndoqën diskutimet dhe përvojat e z.Qemal Shehu, z.Niko Nako, zj.Lindita Lati, Zj. Manjola Naco, zj.Luljeta Nano, z.Bexhet Zeqiri, z.Kozma Kondakciu, etj.
Aktiviteti u mbyll me biseda miqësore mes audituesve të brezave të ndryshëm.