Në Qarkun e Fierit nuk funksionon sistemi “online” i referimit për te mjeku specialist, gjë që ka bërë që pacientët të presin me orë të tëra për një vizitë.
Gazetarët e “Fiksit” komunikuan me disa pacientë, të cilët treguan se presin me orë të tëra në radhë për të bërë një vizitë dhe se, përveç regjistrimit te mjeku i familjes, duhet të marrin edhe një numër në Poliklinikë.
“Kam ardhur që në 7 të mëngjesit, jam i 16-i në radhë, deri tani janë bërë vetëm 3 vizita dhe ora është 12, nuk dimë ç’të bëjmë”, thotë një pacient që qëndron i ulur në një stol në korridor.
Nuk janë të paktë edhe ata që presin me orë të tëra në radhë, por sërish nuk mbarojnë punë, duke u detyruar që të njëjtën procedurë ta përsërisin të nesërmen.
Një e moshuar, që mban në dorë numrin 14, thotë se ka 3 orë që qëndron në pritje. “Shpresoj të mbaroj punë, nesë jo, edhe nesër e njëjta gjë prapë”, thotë ajo.
Përveçse qëndrojnë në radhë, pacientët shfaqen të irrituar se përse duhet të marrin edhe një numër tek infermierja, kur janë regjistruar njëherë te mjeku i familjes.
“Jam nga Cakrani, kam harxhuar 500 lekë biletën për të ardhur sot këtu, nuk kam ku t’i marr dhe punë nuk po mbaroj. Jam regjistruar te mjekja e familjes, nuk mund të vij këtu që në 7 të mëngjesit se nuk kam mundësi”, shprehet i revoltuar pacienti.
Për të marrë një përgjigje për situatën, grupi i xhirimit të emisionit investigativ hyri në dhomën e mjekut dhe e pyeti atë përse ishte gjithë ajo radhë?
“Unë kam ardhur në orën 11, sepse atëherë e kam orarin. Këtu pacientët marrin një numër që të vizitohen, ndodh shpesh që unë largohem dhe lë pacientë të pavizituar”, thotë ai.
Ndërkohë, kryeinfermierja e Poliklinikës thotë se është faji i sistemit të referimit. Ajo tregon për “Fiksin” se fshatrat nuk kanë internet dhe nuk mund të planifikohen “online”, ndaj dhe pacientët që vijnë me një dokument, edhe ato që marrin këtu një numër, kanë të drejtë të vizitohen.
“Shpresojmë të rregullohet sa më shpejt sistemi”, thotë ajo.
Grupi i gazetarëve i drejtohet edhe nëndrejtoreshës së institucionit për të marrë një përgjigje, por ajo nuk pranoi të prononcohej.
Jo më larg se më 8 janar të këtij viti, kryeministri Rama, krah ministres së Shëndetësisë u shpreh mjaft krenar për këtë sistem të ri referimi. Asokohe ai u shpreh se kjo është e vetmja rrugë që të lehtësohet i gjithë shërbimi në spitale, e që të ndahet shërbimi parësor me nevojat e menjëhershme të njerëzve, me shërbim më të specializuar pastaj në qendrat e mëdha spitalore, se ndryshe do të ishte e pamundur që të bëhet edhe njëra, edhe tjetra, dhe s’bëhet tamam as njëra, as tjetra.
Por situata vazhdon e njëjtë, pasi nga ky sistem nuk u llogarit që qendrat shëndetësore në fshatra nuk kanë gjërat më imediate, e jo më internet. /tch