Vetëvarja e shkodranit, e bija rrëfen telefonatën e fundit

E mërkurë, 30 May 2018 10:11

Vajza e Ardian Kallamit, i cili u vetëvra vetëm pak orë pasi u kthye nga komisariati ku ishte shoqëruar si i dyshuar për vjedhje, bën përgjegjës Policinë për vdekjen e të atit.

Sipas saj, ata kanë ushtruar dhunë fizike e psikologjike, duke e detyruar babain e saj të nënshkruante në një letër sikur e kishte kryer ai krimin, ndërkohë që, sipas saj, i ati nuk dinte të shkruante.

Romina Kallami jeton në Itali, por siç tregon, ka folur me të atin në video në “Whatsapp” vetëm 1 orë para se të ndodhte ngjarja e rëndë. Sipas Rominës, ai i kishte pohuar se e kishin dhunuar, teksa mohonte vazhdimisht se nuk ishte autor i vjedhjes. Ajo thekson se kishte vënë re se i ati ishte mjaft i ngarkuar psikologjikisht dhe po vuante shpirtërisht ndaj kësaj akuze që i bëhej. Vajza e Ardian Kallamit kërkon drejtësi dhe deklaron se nëse nuk zbardhet ngjarja, atëherë familjarët e saj do shkojnë në vetëgjyqësi.

Romina, kur keni komunikuar për herë të fundit me babain tuaj?

Për herë të fundit kam komunikuar ditën e hënë, pra, pak para ngjarjes. Ishte rreth një orë para se të ndodhte ngjarja e rëndë. Babai ishte në gjendje depresioni, e dallova se po vuante.

Çfarë ju tha kur folët me të?

Më tha se është dhunuar nga Policia e Vaut të Dejës në momentin kur e kanë shoqëruar në komisariat, për ta marrë në pyetje për një vjedhje që ka ndodhur këtu afër banesës sonë. Babai më tha se ndaj tij kanë ushtruar presion të vazhdueshëm që ta firmoste letrën, në një kohë që ai nuk dinte të shkruante, as të lexonte. Ai e ka firmosur pa e ditur fare se çfarë thuhej në letër. Nga biseda me babain, më tregoi se ndaj tij kanë ushtruar dhunë fizike edhe psikologjike. Është e pafalshme që një person në 2018- n të dhunohet, aq më tepër nga Policia e Shtetit. Policia e Shtetit ne e dimë se është kundër dhunës dhe duhet që të jetë kundër saj, por me babain tim nuk rezultoi kështu.

Çfarë ju tha më konkretisht për dhunën e Policisë ndaj tij, ku e kanë goditur?

Atë e kanë goditur në fyt me grusht dhe pas qafës, pra, mbrapa kokës, po me grusht. Këtë ia kanë bërë disa herë, në mënyrë që të pranonte me çdo kusht se ishte ai autor i vjedhjes, në një kohë që s’kishte asnjë lidhje me atë ngjarje. Thjesht kanë ushtruar presion ndaj tij që ta pranonte në çfarëdolloj mënyre edhe pse e kanë ditur se nuk është autor i atij krimi. Edhe dhuna psikologjike është përdorur ndaj tij me çdo formë, vetëm për të pranuar autorësinë e vjedhjes.

Ju thatë më sipër se kur folët me të, ai ishte në gjendje depresioni. Nga e kuptuat këtë, çfarë ju tha?

Po, krejt qartë dallohej. Më ka mjaftuar që t’i shoh fytyrën e tij për të kuptuar se e kanë dhunuar si fizikisht, ashtu edhe psikologjikisht. Pamja e fytyrës fliste më shumë se çdo fjalë e tij. Edhe sikur të mos e kishte thënë çfarë i kishte ndodhur, vetëm duke e parë e kam kuptuar një gjë të tillë. Kishte një vuajtje shpirtërore, që dallohej lehtësisht nga të gjithë ne. Babai im dyshohej nga Policia për një vjedhje që ka ndodhur afër banesës sonë. Tek ajo banesë kanë marrë disa plaçka dhe tani kanë dyshuar te babai si autor i kësaj vjedhje. E kanë shoqëruar dy ditë me radhë dhe e kanë lëshuar sepse nuk ishte autori, ndonëse po përpiqeshin me të gjitha format që ai të pranonte krimin, që nuk e kishte kryer.

Pse doli emri i babait tuaj si i dyshuar?

Me familjen ku ka ndodhur vjedhja, ne nuk kemi ndonjë komunikim. Duke pasur këtë marrëdhënie jo të mirë, ata kanë dyshuar te babai im. Mirëpo, dyshimet janë thjesht dyshime dhe s’mund të jesh autor thjesht me hamendësime. Policia për këtë punë është, për t’i vërtetuar gjërat. Babai i ka treguar se nuk është ai autori, por Policia i ka bërë presion që ta pranonte vjedhjen dhe për këtë e kanë goditur.

Çfarë kërkoni nga drejtësia?

Ne kërkojmë vetëm drejtësi dhe asgjë tjetër. Do kemi edhe ngjarjen e tretë nëse s’ka drejtësi. Ngjarja e parë ishte nëna, që u nda nga jeta pak muaj më parë, tani babai, ndërsa ngjarja e tretë do të jetë nga ne dhe do bëjmë vetëgjyqësi nëse nuk zbardhet e plotë ajo që ka ndodhur me babain tim. Ne duam drejtësi, sido që të jetë puna. Edhe nëse babai im realisht është fajtor për vjedhjen ose nëse është dikush tjetër, ne duam të dimë të vërtetën dhe duam të dimë përse e dhunoi dhe se kush e dhunoi babain tim, duke e detyruar që të vetëvaret.

Ekspertiza mjeko-ligjore ka nxjerrë që trupi nuk ka shenja dhune. Ju e keni të faktuar dhunën fizike?

Babai ka bërë një videoregjistrim prej rreth 17 minutash kur ka qenë në Polici…

Dhe çfarë përmbante konkretisht kjo video? Kush e zbuloi videon?

Para se të vetëvarej, ai na tha se e kishte regjistruar një pjesë të qëndrimit të tij në Polici. Nga video dëgjohet ndër të tjera babai, ku iu thoshte policëve se ju më keni dhunuar, pse më rrihni, sepse nuk kam faj etj. Atë video e ka marrë si provë Prokuroria dhe shpresojmë të zbardhet e vërteta. Babai im pranonte në sytë e policëve se e kanë dhunuar fizikisht. Unë jam e bindur plotësisht se kjo dhunë ka ndodhur dhe i besoj totalisht babait tim, sepse ai për mua nuk ishte vetëm një baba, por edhe një shok shumë i mirë, ndaj më tregonte gjithçka.

PANORAMA

Login to post comments