E paguajmë më shtrenjtë energjinë se suedezët, holandezët, britanikët...

E mërkurë, 30 May 2018 15:42

Në Shqipëri, çmimet e energjisë elektrike janë më të larta se në vende si Suedia, Finlanda, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe një pjesë e konsiderueshme e  vendeve europiane. Të dhënat e publikuara nga Eurostat tregojnë kështu se, çmimet e energjisë në vendin tonë të shprehura në paritetin blerës janë relativisht të larta në krahasim me vendet e tjera të Europës.

Ky lloj indeksimi i çmimeve nuk tregon vlerën absolute, por më shumë atë reale, pasi e mat në krahasim me standardin e jetesës në një vend të caktuar, e për rrjedhojë është një matës real.

Siç duket qartë nga tabelat e Eurostat, në shumë prej vendeve më të zhvilluara të Europës siç është Luksemburgu, çmimet e energjisë janë bindshëm më të ulëta. Në krahasim me rajonin ndërkohë, shqiptarët paguajnë më pak se malazezët por më shumë se maqedonasit apo serbët.

Në terma absolutë ndërkohë,  pra çmimi absolut për çdo 100 KëH energji, Shqipëria ofron çmimin e tretë më të ulët në kontinent, pas Maqedonisë dhe Kosovës.

Ndër të tjera, Shqipëria figuron i vetmi vend i listës, ku çmimi i energjisë nuk ka pësuar ndryshim gjatë 2017-ës në krahasim me 2016. Eurostat nënvizon edhe faktin se, në Shqipëri norma e taksave mbi çmimin është në vetëm 17%, që është edhe norma e 3-të më e ulët në kontinent./SCAN

Modifikuar më E mërkurë, 30 May 2018 15:43
Login to post comments