Një raport global i publikuar nga Save the Children tregon përkeqësim te jetesës se fëmijëve ne Shqiperi, krahasuar edhe me vendet e rajonit. Shqiperia ka zbritur me 6 vende krahasuar me 2017, duke njohur norma të larta te vdekshmërisë foshnjore, vonesa ne rritjen e fëmijëve, si dhe rritje te lindjeve ne moshe minorene.
Të jesh fëmijë në Shqipëri, rrezikon që fëmijëria të të ndërpritet nga kequshqyerja, shtatzënia e hershme ose puna e detyruar. Një raport global i publikuar nga Save the Children tregon përkeqësim të jetesës së fëmijëve në Shqipëri, jo vetëm kundrejt vendeve të rajonit, por edhe në renditjen e vetë Shqipërisë krahasuar me vitin 2017.
Drejtoresha e Save the Children, Anila Meço shprehet se “Shqipëria renditet në vendin 77 nga 175 vende të vlerësuara në gjithë botën. Shqipëria ka renditjen më të ulët krahasuar me vendet e rajonit tonë. Bosnja dhe Hercegovina renditet në vendin e 39, Serbia në vendin e 46, Mali i Zi në vendin 53, Maqedonia në vendin e 66”.
Save the Children raporton se rreth 23 % e fëmijëve deri në pesë vjeç nuk kanë zhvillim trupor për shkak të kequshqyerjes. Sipas Meços faktori determinues mbetet varfëria e familjeve shqiptare.
“Treguesit me shkallën më të lartë lidhen me vdekshmërinë e fëmijëve, vonesën në rritje të fëmijëve nën moshën 5 vjeç si dhe lindjet nga vajzat adoleshente,” tha Anila Meço.
Raporti tregon se vajzat shqiptare behën nena shume me herët sesa vajzat e rajonit, duke ju mohuar e drejta për te qene fëmije dhe për ta jetuar fëmijërinë e tyre.
“Shqipëria renditet në vendin 77 nga 175 vende të vlerësuara në gjithë botën. Sipas raportit te Save the Children, fëmijët që rriten në Nigeri janë më të rrezikuarit për të mbetur pa fëmijëri, ndërsa Norvegjia dhe Sllovenia zënë dy pozicionet kryesore në fillim të listës, si vendet më të mira për fëmijët,” u shpreh Meço.