Organizata “Terre des hommes”, në bashkëpunim me fotografen Grace Medina dhe organizatën SHKEJ sjellin në COD ekspozitën fotografike “Duke ngushtuar hapësirat mes nesh”. Kjo ekspozitë ka në qendër fëmijët dhe vjen në prag të 1 Qershorit, Ditës Ndëkombëtare të Fëmijëve.
Ekspozita është konceptuar si tri galeri:
1- Galeria e portreteve bardhë e zi – Foto bardhë e zi të portreteve të fëmijëve, të cilat shfaqin fëmijët veçantë nga ambienti i tyre, duke theksuar personalitetet e tyre dhe prezantimin si individ. Rreth 20 foto do të jenë pjesë e kësaj galerie të kompozuara në kolazh. Fëmijët që janë pjesë e Galerisë 1, shfaqen me tej në kontekstin e tyre familjar dhe në aktivitetet në qendër pjesë e dy galerive të tjera, duke krijuar vijimësi nga një galeri tek tjetra.
2- Galeria e fëmijëve në ambientin familjar. Në këtë galeri tashmë fëmijët paraqiten në ambientin familjar, tregohet ku ata jetojnë, familjet e tyre, realiteti në të cilin jetojnë.
3. Galeria e shërbimeve – Në këtë galeri paraqiten fëmijët ndërkohë që marrin pjesë në qendër dhe përfitojnë prej shërbimeve të saj. Në të shfaqen imazhe pozitive dhe optimiste ku fëmijët janë duke luajtur, buzëqeshin, miqësitë e tyre dhe shpresa që përcjellin
Në ceremoninë e hapjes marrin pjesë Jezerca Tigani, Përfaqësuese e Misionit “Terre des hommes”; Endrit Molla, Drejtor i COD; Grace Medina, Fotografe; Ariel Trajani, Përfaqësuesi i organizatës SHKEJ; Heinz Habertheuer, Drejtori i zyrës për Agjencinë Austriake për Zhvillim.