Ish-ambasadori rumun, Miku: Besimi në komunizëm ishte patologjik

Premte, 01 June 2018 17:38

PESË DEKADA DIPLOMACI,

Botohen kujtimet e ish-ambasadorit George Micu.

(kujtimet e ish ambasadorit rumun në Tiranë George Micu)

Autor: Maria Dobresku

ISBN 978-9928106-186 1000 L

Në 250 faqet e librit janë përfshirë çështje që lidhen me problemet e së kaluarës dhe të marrëdhënieve historike midis Rumanisë dhe Shqipërisë. Temat si “"Rumania, vendi i parë që ka njohur pavarësinë e Shqipërisë”, “Shqipëria dhe marrëdhëniet e saj me Jugosllavinë, BRSS, Kinën dhe Greqinë”, “Fletërrufetë”, “Njeriu socialist, një njeri i indoktrinuar”, “Revolucioni i 1989-s në Rumani dhe ndikimi në mënyrë vendimtare në ecurinë e Shqipërisë drejt transformimit demokratik”.

***

“Fëmijët e diktatorit s’ishin të afrueshëm, tepër të tërhequr në marrëdhëniet me të tjerët”

Një tjetër dëshmitar i kohës vë një gur në zbardhjen e historisë shqiptare gjatë viteve të diktaturës. Bëhet fjalë për librin “Pesë dekada diplomaci” të ish-ambasadorit rumun në Tiranë Gheorghe Micu (George Miku), një libër i cili hedh dritë mbi marrëdhëniet rumuno-shqiptare. Libri është konceptuar nga autorja Maria Dobrescu si një bisedë me Gheorghe Micun, ndërkohë që intervistës së gjatë i janë shtuar edhe pjesë kujtimesh të ish-ambasadorit. Libri, i botuar nga shtëpia botuese “55”, është përkthyer nga rumanishtja nga Renata Topçiu. I diplomuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe në 1957-n, gjatë periudhës 1962-1968, Micu punoi në Ambasadën e Rumanisë në Tiranë, si atashe diplomatik, duke avancuar më pas në gradat diplomatike si sekretar i dytë dhe më pas si sekretar i parë. Pasi kishte jetuar në Shqipëri gjatë periudhës së diktaturës, Micu do të përjetonte një periudhë tjetër diplomatike në Shqipëri, por kësaj here në periudhën e demokracisë. Në janar 1990 ai u caktua, me dekret presidencial, ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Rumanisë në Shqipëri, funksion i ushtruar deri në dhjetor 1996. Gjatë kësaj periudhe mori gradën diplomatike “Ministër Këshilltar”. Pas këtyre viteve të kaluara në Shqipëri, është e justifikueshme jo vetëm lidhja e tij me vendin tonë, por ai ka edhe kompetencën e duhur të dëshmojë me syrin e një të huaji për zhvillimet në Shqipëri, qysh në periudhën kur ai ishte student, më pas atashe kulturor e më vonë ambasador. “Pesë dekada diplomaci” të ish-ambasadorit rumun në Tiranë, George Micu, janë më shumë se një libër kujtimesh. Është reflektim i një periudhe të rëndësishme historike të politikës ndërkombëtare, veçanërisht i komunizmit në Shqipëri dhe Rumani, por dhe i periudhës së hyrjes së dy vendeve në rrugën pa kthim të demokracisë. Ky libër, përveçse një dokument tjetër i vyer për të njohur historinë tonë, është dhe dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera që kanë ekzistuar gjithnjë mes Rumanisë dhe Shqipërisë”, thotë drejtoresha e shtëpisë botuese “55”, Alda Bardhyli. Në një pjesë të përzgjedhur nga libri, Micu flet për ish-diktatorin Enver Hoxha, bashkëshorten e tij, njohjen me ta etj

M.D.: Ishte një diktator Enver Hoxha?

Gh.M.: Gjatë gjithë jetës së tij u mor me zhvillimin ekonomik dhe kulturor të Shqipërisë, jo vetëm në plan të brendshëm, por edhe të jashtëm, por, çdo herë metodat e tij diktatoriale drejtoheshin kundër popullit të vet. Nëse gjatë luftës sakrifikuan jetën 28.000 shqiptarë, në kohën e Enver Hoxhës numri i të persekutuarve dhe i atyre të asgjësuar e tejkaloi shumë këtë shifër. Ai inicioi dhe mbështeti një terror të ashpër policor kundër popullit të vet. Thuhej se askush nuk e dinte se kur dhe kush e kishte radhën për t’u arrestuar, për t’u gjykuar, dënuar apo ekzekutuar. Këtë praktikë e përdori edhe në marrëdhëniet me të afërmit e tij, bashkëpunëtorët, me shokët e partisë dhe të luftës, duke mos mbijetuar asnjë nga udhëheqësit e vjetër të partisë që rezistuan deri në vitin 1970. Këta u dënuan dhe u zhdukën fizikisht. Njerëzit si Beqir Balluku, ish-zëvendës-kryeministër për vite me radhë dhe ministër i Mbrojtjes Kombëtare, shumë ushtarë dhe civilë u akuzuan me pa të drejtë për bashkëpunim me revizionizmin sovjetik, me atë kinez apo jugosllav, me të ashtuquajturit monarko-fashistë grekë, e me sa e sa.

MD: Një karakter kaq mizor nuk mund të vepronte pa pasur bashkëpunëtorë të tjerë. Cilët ishin ata që inkurajuan dhe mbështetën këtë marrëzi të përgjakshme?

Gh.M.: Në pjesën e fundit të jetës së tij, krijoi rreth vetes një ekip që do ta ndiqte rrugën e nisur prej tij, që do të promovonin të njëjtën politike që ai e praktikoi gjatë gjithë jetës së tij. Bashkëpunëtorët e tij kryesorë ishin Ramiz Alia, presidenti i fundit komunist i Shqipërisë dhe gruaja e tij, Nexhmije Hoxha, anëtare e Komitetit Qendror të Partisë dhe drejtor i Institutit të studimeve marksiste-leniniste. Për më tepër, thuhet se Nexhmije Hoxha ishte e vetmja që influenconte tek Enver Hoxha në marrjen e masave të caktuara, duke përfshirë edhe ato për zhdukjen e shokëve të tij të luftës. Kur vdiq Enver Hoxha, i cili gëzonte popullaritet për çudi të të gjitha poshtërsive që kishte bërë, shumë shqiptarëve u erdhi keq, të paktën në sytë, nëse jo edhe në shpirt. Mbaj mend se interesat e Bashkimit Sovjetik në Shqipëri përfaqësoheshin nga Ambasada e Çekisë në Tiranë. Atë mëngjes, kur u transmetua lajmi i vdekjes së Enver Hoxhës, i Ngarkuari me Punë i Çekosllovakisë në Tiranë, një diplomat i quajtur Piperka, telefonoi ambasadat e vendeve socialiste dhe i ftoi përfaqësuesit e tyre në një takim për të diskutuar ngjarjen që kishte ndodhur rishtas. Në këtë takim ku kam marrë pjesë dhe unë dhe jo ambasadori rumun i atëhershëm, secili dha mendimin e vet se çfarë duhej të bënim më tej, sepse Ambasada Çekosllovake, dhe jo vetëm kjo, vlerësonte se menjëherë me vdekjen e Enver Hoxhës, Shqipëria do të kthehet në rrugën e ndjekur nga vendet socialiste, europiane dhe, mbi të gjitha, në rrugën e Bashkimit Sovjetik. Asgjë e tillë nuk ndodhi. Ekipi që erdhi në fuqi, në mënyrë të disiplinuar rinjohën Ramiz Alinë si vazhduesin e Enver Hoxhës. Ai u zgjodh sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe më pas kryetar i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

M.D.: A u bënë zgjedhje në parti?

Gh.M.: Jo. Zgjedhjet bëheshin në stilin e njohur, njëri propozonte dhe gjithë të tjerët ngrinin dorën.

MD: Me unanimitet u zgjodh shoku… Nga frika e hakmarrjes, askush nuk guxonte të propozonte apo të mbështeste një kandidat tjetër.

Gh.M.: Thuhet se paskan qenë disa përpjekje për pushtet (ose të paktën synime) brenda udhëheqjes shqiptare. Unë, me sa kam kuptuar në atë kohë si dëshmitar i atyre ngjarjeve, nuk kam konstatuar që në mesin e anëtarëve të Komitetit Qendror apo Byrosë Politike, apo në strukturat e shtetit dhe të partisë të kenë ekzistuar përpjekje në marrjen e pushtetit nga njëri apo tjetri. Sepse Ramiz Alia, dihej, qëkur kur ishte gjallë Enver Hoxha, se do të bëhej numri një në parti dhe në shtet. Dhe kështu ndodhi. Por, sigurisht, Nexhmije Hoxha kishte në vazhdimësi ndikim të veçantë tek Ramiz Alia në marrjen e vendimeve që lidheshin me partinë apo me shtetin, vendime që duhet të mbaheshin në linjën e “të zhdukurit të madh”. Duhet thënë se, megjithatë, Ramiz Alia u përpoq të bënte disa ndryshime në planin e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke bërë që Shqipëria të bëhej anëtare e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, gjë që në kohën e Enver Hoxhës ishte absolutisht e pakonceptueshme. Ka pasur edhe tentativa të tjera, por jo aq insistuese saqë të prodhohej një shkëputje nga politika e ndjekur nga Enver Hoxha. Ishte vetëm një vazhdim i sistemit të vjetër të vendosur nga udhëheqësi i vjetër, por me pak përjashtime, sidomos në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare, asht siç thashë më sipër.

Doja të shtoja një detaj, se Nexhmije Hoxha, pas ardhjes në pushtet të demokratëve pati disa pasoja, po ashtu edhe familja e saj. Natyrisht, edhe Ramiz Alia. Këta u arrestuan, u dënuan dhe u futën në burg. Iu konfiskuan shtëpitë luksoze, pra i lëvizën nga kompleksi i bllokut presidencial, në një kompleks të rritjes së shpendëve. Për më tepër, m’u duk disi e çuditshme që Nexhmije Hoxha u akuzua për përdorimin e parave të shtetit dhe partisë pas vdekjes së Enver Hoxhës. Është njohur praktika shqiptare që pas një ngjarjeje fatkeqe si vdekja e bashkëshortit, shumë të njohur vijnë për ngushëllime. Në një situatë të tillë, familja që vizitohet qeras mysafirët me kafe, apo me diçka tjetër. Kështu Nexhmije Hoxha u akuzua se kishte shpenzuar paratë e partisë për të pritur njerëzit pas vdekjes së burrit të saj. Kjo gjë më duket pak e ekzagjeruar.

MD: Jo rituali në vetvete është inkriminues, por burimi financiar. Për sa kohë ndenji ajo në burg pas ardhjes në fuqi të sistemit demokratik?

Gh.M.: Besoj se qëndroi rreth 2 vjet. Si Ramiz Alia. Fëmijët e tyre nuk u burgosën, por u hoqën nga postet që kishin. Dhëndri, gjithashtu.

MD: Fëmijët ishin të përfshirë në politikë, siç ishte rasti i Niku Ceasescut tek ne?

Gh.M.: Jo, jo. Ajo kishte dy djem dhe një vajzë, Ilirin, Sokolin dhe Pranverën. Djali i madh, Sokoli, kishte kryer studimet për Inxhinieri Bujqësore në Kinë, pasi ishte student në periudhën kur marrëdhëniet shqiptaro-kineze ishin në kulmin e lulëzimit. I biri tjetër, Iliri, ishte inxhinier Komunikacioni. E kam njohur edhe unë gjatë viteve 1991-1992, kur ai ishte drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Telekomunikacionit Shqiptar. Atëherë u përpoqëm të nënshkruanim një protokoll bashkëpunimi mes Telekomit Shqiptar dhe Telekomit Rumun, protokoll që nuk u materializua asnjëherë, sepse Ilir Hoxha u hoq dhe u zëvendësua nga dikush tjetër.

Pranvera ishte vajza e vetme e Enver dhe Nexhmije Hoxhës. Ishte arkitekte, e martuar me Klement Kolanecin. Së bashku me arkitektë të tjerë, duke përfshirë edhe bashkëshortin e saj, konceptuan dhe projektuan Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë, e njohur si muzeu memorial “Enver Hoxha” apo e famshmja piramidë në qendër të kryeqytetit, e ndërtuar në vitin 1988. Fëmijët e Enver Hoxhës nuk u shfaqën në asnjë formë në plan politik. Ata u afirmuan vetëm në fushat e tyre si profesionistë. Përgjithësisht, nuk e di që një nga udhëheqësit komunistë të ketë arritur në një funksion të lartë të shtetit apo të partisë. Ishte e mjaftueshme se kishin prindërit në pozita udhëheqëse dhe kjo i bënte të përdornin dhe të kishin privilegje të caktuara si bijtë e shefave të shtetit, të partisë etj.

Por fëmijët e tyre nuk ishin të afrueshëm, ishin tepër të tërhequr në marrëdhëniet me të tjerët, veçanërisht me fillimin e ndryshime gjatë vitit 1990… Klement Kolaneci punoi në muzeun “Skënderbeu” në Krujë, ku, në një muret është pikturuar madje fytyra e Pranverës. Ajo ka qenë një nga arkitektët që projektuan këtë muze dhe është e mundur që ajo fytyrë të ishte e saj, edhe pse i shoqi tha se nuk është.

MD: Nexhmije Hoxha ka qenë një lloj Elena Ceasescu. Jeton edhe sot, duket se është rreth 90 vjet.

Gh.M.: Gratë, zakonisht, mbijetojnë pas vdekjes së bashkëshortëve. Ajo u arrestua për disa vjet, pastaj i morën shtëpinë, u dërgua për të jetuar në disa ish-pulari. Sigurisht, ishte e tmerrshme për të.

MD: I keni njohur personalisht Enver dhe Nexhmije Hoxhën?

Gh.M.: Enver Hoxhën e kam takuar rastësisht, sepse mora pjesë në disa takime që u zhvilluan me disa delegatë të ardhur nga Rumania me rastin e Kongreseve të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe me rastin e evenimenteve të tjera festive, siç ishte Dita Kombëtare, përvjetorët, pritja e delegatëve të rinisë që merrnin pjesë në ngjarje të ndryshme, por personalisht nuk kam pasur lidhje me të sepse unë isha një diplomat me gradë të ulët dhe merrja pjesë nëpër takime vetëm si përkthyes, kur ai priste ambasadorin.

M.D.: Çfarë përshtypje ju la?

Gh.M.: Ai ishte tepër i sjellshëm në momentet e para të takimit. Pastaj, kur hynte në diskutimet e karakterit politik, bëhej shumë serioz dhe nuk mbetej kollaj i bindur nga pala tjetër bashkëbiseduese, por përpiqej të impononte bindjet e tij. Gjithmonë të militonte për ruajtjen e pastërtisë së marksizëm-leninizmit, sepse, sipas mendimit të tij, të gjithë të tjerët ishin revizionistë që ndiqnin një politikë antishqiptare gjë e cila nuk ishte e vërtetë. Të gjitha vendet dhe, veçanërisht, vendin ynë, Rumania, kanë vepruar gjithmonë për të pasur marrëdhënie të mira me Shqipërinë. Por kjo ishte politika që ai kishte përpunuar dhe që mundohej ta afirmonte në vazhdimësi me vendet socialiste.

MD: Enver Hoxha dhe Ceausescu janë takuar ndonjëherë?

Gh.M: Jo.

MD: Cili mendoni se ka qenë reagimi i Nexhmije Hoxhës, kur pa në televizor atë që ndodhi me bashkëshortët Ceasescu më 25 dhjetor 1989, kur këta u gjykuan, dhe me duar të lidhura me litar u ekzekutuan në oborrin e një njësie ushtarake?

Gh.M.: Sigurisht, ajo që po ndodhte në Rumani në dhjetor të 1989-s, u interesonte drejtpërsëdrejti udhëheqësve shqiptarë, duke përfshirë edhe Nexhmije Hoxhën, sepse politika e ndjekur nga bashkëshorti i saj ishte edhe më e ashpër sesa politika e ndjekur nga Ceausescu në Rumani. Ndoshta, duke parë ngjarjet që po ndodhnin në nëntor tek ne, ishte e natyrshme të mendonte se diçka e tillë mund t’i ndodhte edhe në Shqipëri. Zhvillimet e ngjarjeve në vendet ish-socialiste sigurisht që ndikonin në situatën politike në Shqipëri dhe përbënte një kërcënim që i afrohej gjithnjë e më shumë. Rrethi po mblidhej rreth Shqipërisë. Megjithatë, Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia nuk ishin aq të shqetësuar për fatin e Shqipërisë sesa për fatin e tyre. Sepse ata e dinin se çfarë kishin bërë me Shqipërinë. Prandaj, kur unë i paraqita letrat kredenciale Ramiz Alisë, ai shprehu paqartësinë, se si kishte mundësi që një vend si Rumania, ku Partia Komuniste ishte në pushtet, të arrijë në mënyrë të shpejtë në një koniunkturë revolucionare që do të largonte nga pushteti regjimin që persistonte prej gati 50 vjetësh. Sigurisht, në këtë shqetësim të tijin dalloja frikën e tij për situatën në Shqipëri, të ardhmen e partisë dhe, veçanërisht, të ardhmen e vetes së tij. Prandaj, Ramiz Alia bëri përpjekje të mëdha t’i përshtatet situatës së re demokratike, pasi u lirua nga burgu. Ai u vlerësua në veçanti nga vendet perëndimore. Në periudhën pas vitit 1990, Ramiz Alia ftohej shpesh për pritjet e organizuara nga ambasadat e vendeve perëndimore si dhe nga ajo e Kinës me rastin e festave kombëtare. Nga ana tjetër, ambasadat e vendeve ish-socialiste nuk e ftuan asnjëherë në pritjet e tyre, siç bëri edhe Ambasada Rumune, edhe pse unë e kisha njohur personalisht Ramiz Alinë që nga viti 1953, kur ai ishte sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Rinisë së Punës së Shqipërisë. Por kur e takoja nëpër pritje të ndryshme me të kisha një qëndrim korrekt, sepse ai kishte përshtypje shumë të mira për Rumaninë, ku ai kryesoi delegacionin e Partisë së Punës të Shqipërisë në Kongresin e Partisë Komuniste Rumune në vitin 1979. “Do të doja, më thoshte ai, ta vizitoj edhe një herë Rumaninë.” Por kush mund ta ftonte?

Pas ndryshimeve që ndodhën si në Rumani, ashtu edhe në Shqipëri, midis ish-udhëheqësve të partisë dhe shtetit rumun e shqiptar nuk kanë ekzistuar vizita reciproke. Të paktën unë kështu e di, ndoshta në mënyrë private mund të ketë ndodhur ndonjë takim, por zyrtarisht, asnjë nga ish-udhëheqësit shqiptarë nuk e ka vizituar Rumaninë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...