Ermira Gjata: Niveli intelektual i studentëve dhe aktorëve le për të dëshiruar

Hënë, 04 June 2018 11:28

Ermira Gjata është një prej aktoreve më të mira shqiptare, e cila ka 40 vite që punon si Pedagoge në Universitetin e Arteve.  E filloi karrierën si aktore në teatrin “Skampa”, ku interpretoi dhjetra role, duke rënë në sy për lojën e bukur skenike, sharmin dhe fjalën e pastër.  U angazhua në kinematografi që në vitin 1981 me filmin “Nusja” dhe më pas në role të tjerë, si “Nxënësit e klasës sime”, “Vjeshtë e nxehtë e 41”, “Rrethi i kujtesës”, “Pas fasadës”, “Zemra e nënës” dhe së fundi “Ti mund të më quash Xhon”. Ndësa është angazhuar si aktore edhe në teatrin e Universitetit të Arteve , si p.sh në pjesët “Mësuesi i letërsisë”, “Tokë e ndezur” (rol qe e interpretoi me shume sukses edhe ne skenen e teatrit “Skampa”), “Shi në plazh” etj dhe së fundi tek drama “Presidentët”, në skenën e TK Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. E ftuar në emisionin "Arkapia" nga Elsa Demo, ajo ka folur për gjendjen e studentëve dhe gabimet e aktorëve shqiptarë.

“Çdo zyrtar, çdo gazetar mediash, çdo politikan, çdo biznesmen duhet të dijë ta flasë pastër gjuhën e tij, thotë pedagogia dhe aktorja Gjata. Mua më vijnë studentë pa njohur etikën qytetare. Nuk dinë të flasin me ju. Nuk dinë çfarë është distanca. Një student nga Maqedonia tha, Pse duhet të flas me ju? Ti je një. Ti je ti. E gjithë rinia na flet me 'ti' dhe më duhet shumë kohë që të mësoj studentët të flasin me ju”.

Elsa Demo: Si është gjendja sot në Universitetin e Arteve?

Ermira Gjata: Studentët më kanë zhgënjyer. Tani jemi në një fazë që studenti të vjen pa lexuar asnjë libër, nuk ka parë asnjë shfaqje teatri dhe do të bëhet aktor. Përditë e më shumë më zhgënjejnë sepse vijnë në shkollë me një pasion teorik, që në praktikë nuk manifestohet fare. Kjo është dhimbja më e madhe që përjetoj unë si Mirë sepse unë mësimin e bëj me shumë dashuri. Mezi e pres sepse është një komunikim shumë i bukur dhe unë krijoj në orë të mësimit. Kjo më ka mbajtur vite të tëra pa luajtur teatër. Zëri ka nevojë të punohet përditë. Pastërtia e të folurit duhet të punohet çdo ditë me diksionin, me frymëmarrjen. Fatkeqësia më e madhe është që studenti sot nuk punon në mënyrë individuale. Nëse muzikanti punon me veglën 5 orë, studenti jonë duhet të punojë 7 orë në ditë. Pse? Sepse ai e fillon shumë vonë këtë si profesion. E fillon 18,19, 20 vjeç. Deri tani ai ka foluar ndryshe.

Elsa Demo: Cili është gabimi më i shpeshtë që bëjnë aktorët shqiptarë?  Ku gabojnë më shpesh?

Ermira Gjata: Janë një sërë gjërash. Nuk punojnë shumë. Mungesa e punës dhe mungesa e nivelit intelektual. Nuk lexojnë shumë.

Pse duhet profesioni ynë? Sepse sot ka ndryshuar dhe komunikimi, sepse kanë ndryshuar mjetet e komunikimit, por teatri e ka gjetur prej shekujsh gjuhën e komunikimit. Të shkojë shpirti tek shpirti direkt.  Pa aksesorë të tjerë përbërës. Mirëpo që të shkojë ai që del në skenë dhe merr përsipër të ngacmojë intimitetin e skeptatorin dhe të ndezë llampushkën komunikuese, ai duhet të jetë shumë i informuar, shumë i lexuar që të dijë si të shkojë deri tek shpirti i spektatorit. Nëse nuk je i lexuar nuk e ke të zhvilluar imagjinatën. Por imagjinata duhet ushqyer vazhdimisht.

Sa i takon studentëve unë qëndroj në edukimin primar që u mungon, të përdorin fjalët magjike: Ju lutem! Faleminderit! Ka mundësi!  Si t'ia tërheqin një femre karrigen që të ulet, si t'ia mbajnë pallton, si të sillen me delikatesë me të e ta trajtojnë si të tillë sepse aktori është në sy të të tjerëve. Aktori është person publik, dhe pikërisht të marrurit si shembull si persona publik duhet të jemi të përgjegjshëm edhe në jetën tonë publike, dhe duhet të jemi shumë të matur për gjërat që duhet të bëjmë.

Elsa Demo: Jeta duhet jetuar vetëm në mënyrë të sinqertë. Cili është ky kuptim për ju?

Ermira Gjata: Në një farë mënyre, edhe unë si Mirë jam dakort sepse po fillove të merresh me kujtimet, nuk jeton të ardhmen. Po u more shumë me të kaluarën , duhet parë përpara në formë pozitive për ta shijuar atë që ke sot.

Unë jam vetë njeri që kam pësuar ngjarje shumë të hidhura, por përpiqem të shoh përpara. Nuk kthehem mbrapa, rallë. Të jetoj të sotmen dhe të shikoj përpara. Kjo është dhe arsyeja që unë po merrem shumë këtë periudhë me teatër. Të harrohem në realitetin që më pëlqen mua, dhe aty ka mundësi të lodhem, të lodhem, deri në rraskapitje. Këtu kam arritur. Të tjerat nuk më bëjnë më përshtypje fare. Asgjë.

Elsa Demo: Cili është mësimi më i madh që keni marrë nga jeta?

Ermira Gjata: Të duash njeriun. Dashuria për njeriun është më e madhe nga të gjitha. Ajo të bën tolerant dhe qytetar. Të dish të duash njeriun.

Elsa Demo: Ia keni gjetur kuptimin miqësisë?

Ermira Gjata: Në disa raste po. Kam ca mikesha që s’do ti harroj gjithë jetën time. Që më kanë mbështetur fort dhe më janë gjendur në çdo moment. Sepse mikeshë shoqe është ajo që të vjen në 2 të natës kur ti ke një hall dhe mua më kanë ardhur. /Ora News.tv/

Modifikuar më Hënë, 04 June 2018 11:34
Login to post comments