Dikur emigrant në Greqi, por Marko Caka arriti të fusë këmbët në studiot e televizioneve kombëtare atje.
Brenda 3 viteve, 47-vjeçari ka mundur “të nxjerrë kokën” në disa prej realizimeve të suksesshme të industrisë më të madhe kinematografike në botë. Nga dramat e denja për Oscar të regjisorëve që kanë bërë histori, tek skenat e përplasjeve spektakolare mes gangsterëve më të dashur të ekranit, Marko nga Shkodra e ka eksploruar Hollywood-in në të gjitha dimensionet.
Por, jo Tiranën. Shqiptarin e plot 85 produksioneve kinematografike e televizive, e takojmë në qendër të kryeqytetit, ku shkel për herë të parë pas shumë kohësh.
Shansi nuk i mungoi Markos. Por mesa duket nuk paska qenë e thënë. Një rol në serialin “The Deuce” të James Franco-s me rrjetin HBO, mund të kishte qenë mundësia që audienca t’ia dëgjonte më në fund zërin. Por, një arsye tejet personale e detyroi Markon ta refuzonte.
“Ka qenë një rol për skena homoseksualiteti të viteve 1970. Nga karakteri artistik mund të ishte një hap shumë i mirë në karrierë. Por ishte pak e sikletshme sepse nuk mund të ndërtosh një karakter nëse nuk është në prirjet e tua. M’u duk shumë e sikletshme”, tha aktori për Jo Vetëm Modë.