Shumë i njohur për shkrimet e tij, polemikat dhe punën e tij si diplomat, Faik Konica ishte një erudit i jashtëzakonshëm, për të cilin Guillaume Apollinaire thoshte se i njihte 200 gjuhë. Profilit të tij poliedrik i është shtuar edhe një dimension i panjohur, ai i një prozatori, autor romanesh.
Kjo pasi që studiuesi Fotaq Andrea, ka zbuluar dy romane të panjohura të Faik Konicës, të cilat ai i kishte shkruar në gjuhën frënge.
Të botuara në një vëllim dhe me pseudonimin Gjoni i Krujës, këto dy romane janë përkthyer po nga Fotaq Andrea.
I ftuar në emisionin CODEX të KTV-së, botuesi i tyre në shqip Krenar Zejno, ka thënë se ky lajm do të duhej të bënte shumë më shumë bujë dhe të merrte më shumë vëmendjen e publikut.
“Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri dhe Mitka” janë titujt e këtyre dy romaneve të Faik Konicës, alias Jean de Kroia.