Ca fjalë zemre në përcjellje Gaqo Çakos/ Nga Pirro Mani

Premte, 03 August 2018 12:39

Ndarja nga jeta e artistit të madh shqiptar, Gaqo Çako ka sjellë hidhërim. Aktori  dhe regjisori i madh shqiptar, Pirro Mani që prej vitesh jeton në SHBA, ka shkruar për ndarjen nga jeta të tenorit të mirënjohur.

Letra e plotë

Nga Pirro Mani

Ca fjalë zemre në përcjellje, Gaqo Çakos

Ky lajm i hidhur i ikjes tënde na pikëlloi fort, i shtrenjti miku im, Gaqo. Ti i pikëllove pa masë tërë shqiptarët që u rritën me këngën tënde, me zërin tënd të kthjellët, me timbrin qiellor që dukej vërtet një dhuratë e engjëjve.

Ikja jote është e hidhur për tërë shqiptarët, kudo që ata ndodhen Gaqo. Por mes tyre, më përfytyro mua, shokun tënd të Liceut Artistik, bashkëstudentin e Moskës së largët, ku ti në ato vite, i mrekullove pedagogët e “Çajkovskit” e atij konservatorit të famshëm moskovit. Unë studjoja për regjinë e skenës, shkollat tona ishin pranë dhe qënia pranë me njëri-tjetrin na e bëri më të fortë miqësinë, ashtu sikurse sot ma bëri më të fortë pikëllimin. Pastaj ne nuk u ndamë edhe kur u kthyem në atdhe, unë në radhën e shfaqjeve të mia, kujtoj me mall edhe dy angazhimet operistike në Teatrin e Operas, ku ti ishe, ku tjetër veçse, në rolet kryesore.

Zëri yt Gaqo goditi malet e bukura të atdheut tonë të mahnitshëm, mbushi luginat dhe koriet, liqejtë, krojet, pllajat dhe fushat, edhe u bë njësh me to.

Është e natyrshme që njerëzit vijnë mbi këtë dhé, edhe natyrisht ikin. Por arti yt i veçantë dhe sidomos talenti dhe ngrohtësia e zërit tënd e fshijnë për ty fjalën ikje. Ti u mbetesh admiruesve të tu, ashtu siç i mbetesh familjes tënde të dashur, miqve të tu. Ti nuk u ikën dot atyre. Nuk ka vdekje që mund të të marë ty, Gaqo!

Më fal, miku im, që nuk jam aty të të përcjell tek nisesh që t’i bashkohesh përsëri korit të ëngjëjve.

Login to post comments