Edhe pse ka mbi 5 vjet në krye të këtij institucioni, ministria Kumbaro nuk ka mundur të realizojë një strategji të mirëfilltë për artin dhe kulturën. Që ajo është e paaftë të hartojë një strategji për artin dhe kulturën, nuk themi gjë të re, pasi këtë shqetësim e kanë ngritur që vitin e saj të parë të punës me dhjetëra studiues, shkrimtarë, artistë e specialistë të kësaj fushe.
Por që kjo ministre, në mungesë të aftësive të veta dhe aftësive të vartësve specialistë që e rrethojnë, kërkon ndihmën e qytetarëve për të realizuar këtë qëllim, kjo është për të vënë kujën. Çfarë është më e diskutueshme në këtë mes, ka të bëjë me faktin se si e kërkon ministrja këtë ndihmë. Bëhet fjalë për një pyetësor me rreth 40 pyetje, i cili duhet plotësuar nga qytetarët, me qëllim që Ministria e Kulturës të vjelë informacionin e përshtatshëm, që do të mund t’i hyjë në punë gjatë hartimit të strategjisë për artin dhe kulturën.
Ministria e Kulturës, në faqen e saj zyrtare ka publikuar pyetësorin, pyetjet e të cilit në gati gjysmën e tyre nuk kanë asnjë lloj lidhjeje me artin apo kulturën. “Sa të kënaqur jeni nga jeta këto kohët e fundit? Përgjatë 12 muajve të fundit sa shpesh jeni: Takuar me familjarët; Takuar me miqtë; Angazhuar në aktivitete sportive; Angazhuar në punë vullnetare; Angazhuar në aktivitete fetare? gjatë 12 muajve të fundit a ju kanë penguar problemet shëndetësore për të kryer aktivitetet tuaja të përditshme? Gjatë 12 muajve të fundit, a ju kanë penguar problemet shëndetësore për të kryer aktivitetet tuaja të përditshme?
A keni fëmijë nën 16 vjeç që jetojnë me ju? Përgjatë 12 muajve të fundit a keni pasur akses në internet, përfshirë rrjetet sociale, blogje, uebsajte?”, janë vetëm disa nga pyetjet skandaloze të hartuara nga Ministria e Kulturës për qytetarët artdashës apo artistët, që marrin mundimin ta plotësojnë pyetësorin e publikuar nga ky dikaster. Në pjesën ballore të pyetësorit, thuhet se Ministria e Kulturës po harton Strategjinë e Kulturës për vitet 2019-2025 për të cilën po vjel mendime nga grupe të ndryshme të interesit. Ministria kërkon kështu kontribut nga jashtë në këtë nismë me përgjigjen e pyetjeve
. Ministria e Kulturës paralajmëron se plotësimi i pyetësorit kërkon 10 deri 20 minuta kohë. A do ta marrë njeri mundimin ta plotësojë këtë formular? Sipas gjasave, askush nuk do bëjë përpjekje t’i vijë në ndihmë ministres, e cila megjithëse po bën 5 vjet në krye të këtij institucioni, ende nuk ka mundur të realizojë një strategji të mirëfilltë për artin dhe kulturën.