Regjisori i shquar i filmit shqiptar, Muharrem Fejzo, që këtë vit festoi 85 vjetorin e tij të lnidjes, një nga emrat më të suksesshëm të kinematografisë shqiptare, filmat e të cilti shikohen sot me endje dhe dëshmojnë për nëj invel të lartë atrtistik, e konsideron gjendjen aktuale të artit shqiptar si të mjerueshme dhe të paprecedentë. Sipas tij, reklamohet turizmi dhe bëhet propagandë, por ka vetëm fjalë dhe jo vepra. “Arti është në një mjerim të plotë, si asnjëherë tjetër!”. “Shpërblimin” e gjen tek populli, tek njerëzit e thjeshtë të cilët i hapin dyert dhe e presin me një respekt të jashtëzakonshëm për filmat që ka mundur të bëjë edhe në një periudhë të egër si ajo e diktaturës.
Muharrem Fejzo lindi në Kolonjë në vitin 1933. Fejzo bëri praktikë si sufler në Teatrin Popullor në Tiranë. Ai gjithashtu kreu studimet në degën e aktrimit dhe nga pasioni i madh që kishte për kinemanë, Muharrem Fejzo kontribuoi si grimier në disa nga filmat e parë shqiptarë. Vite më vonë u bë drejtori i Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Kukësit. Përpara se të realizonte filmin e tij të parë, “Montatorja” (1970), Fejzo punoi si asistent regjisor në dy filma artistikë, “Prita” (1968) të Mithat Fagut dhe “Njësiti Guerril” (1969) të Hysen Hakanit. Në vitin 1972 Muharrem Fejzo, së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi, realizoi filmin “Kapedani”, komedinë e parë që vazhdon të konsiderohet edhe sot si një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare. Gjatë karrierës së tij, regjisori Muharrem Fejzo realizoi mbi dhjetëra filma të tjerë, midis të cilëve mund të përmenden: Operacioni “Zjarri” (1973) dhe “Mësonjtorja” (1979). Filmin e tij të fundit “Muri i gjallë”, Muharrem Fejzo e realizoi në vitin 1989.
“Për mendimin tim, spektatori është në gjendje të bëjë një diferencim shumë të qartë dhe shumë të mençur të asaj që i përket artit të vërtetë dhe të propagandës, e cila është pjesë përbërëse e asaj periudhe, thotë regjisori i mirënjohur Muharrem Fejzo. Ndaj, të detyruar artistët që të qëndronin brenda kufizimeve që impononte ajo kohë, janë munduar megjithatë të krijojnë atë pasuri përrallore që është mburrja e kombit shqiptar dhe që demonstron sot e kësaj dite dëshirën e mbarë popullit për t’i parë ata filma me kërshëri, me shumë dashuri dhe respekt të madh.
“Duhet të merren me veprat bashkëkohore, qoftë në letërsi, artet figurative apo kinematografi. Duhet të përqendrohen tek prodhimtaria ditëve të sotme, pasi aty ka një boshllëk shumë të madh. Po kritikohen veprat para viteve ’90, që janë krijuar për 40 vjet rresht, ndërsa tani ne nuk kemi shumë kohë që ka filluar krijimtaria pas rënies së sistemit komunist. Shpesh bëhen krahasime, por nuk mund të gjykohen në këtë mënyrë, nuk mund të vihen në të njëjtën balancë. Prandaj,vlerësimi i krijimtarisë artistike sot duhet gjykuar në bazë të vlerave artistike që ka kjo periudhë si dhe për prurjet e reja që ka.
Në qoftë se dje, diktatura ishte gijotina e artit, pra që priste kokat, kjo e sotmja, është diktatura e parasë. Dhe kjo e fundit është më e keqe, më e shëmtuar dhe më e pandërgjegjshme. Pse e them këtë? Sepse vetë shteti nuk e inkurajon artin. Vetë shteti e ka abandonuar artistin, e ka lënë në mes të katër rrugëve. Sot përshembull bëhet një reklamacion i jashtëzakonshëm, një propagandë vetëm me fjalë dhe me asnjë vepër. Mendoni, çfarë bëjnë sot aktorët? Ku janë sot aktorët? Janë në një mjerim të plotë! Pse e gjitha kjo situatë? Sepse as teatrin që kishin të tyre, që mund të bënin diçka, as atë nuk e kanë… Përpos të gjithave në të kaluarën çdo qytet kishte teatrin e vet, madje edhe nëpër fshatra ka pasur teatër. Filmi shkonte në çdo skaj të dheut dhe shfaqeshin filmat në teatër dhe në kinema. Sot çfarë bëhet? Sot është vetëm një “Millenium”, janë 2-3 kinema edhe gjithë populli s’do mend që do të shkojë të adresohet tek televizori. Dhe televizori ka gjithmonë atë propagandën e shëmtuar, ngjarjet më të zeza që mund të ekzistojnë edhe që, krijojnë një opinion skëterrë për Shqipërinë jashtë vendit. Ta lëmë pastaj mënjanë propagandën që bëhet për Shqipërinë si vend i lakmuar për turistët. Ajo po që është një propagandë pasi, mburresh me vlerat e pasurisë që ka Shqipëria, por jo me veprën tënde. Pra në një situatë të tillë ky vend nuk ka jetë, nuk punon dot”.
Lidhur me projektligjin për shembjen e Teatrit Kombëtatr që do të shkojë përsëri në parlament, Fejzo thotë se “Unë e kam thënë disa herë dhe i rikthehem mendimit tim, ky është një krim që do t’i kushtojë shumë shtrenjtë gjithë situatës së artit shqiptar në vendin tonë. Ky akt do të ketë pasoja. Do të ketë pasoja që do të jenë shumë të rënda…
Mundësitë pas mbylljes së kinemave, ndoshta edhe pas shembjes së teatrit po kufizohen, veçanërisht për artistët e rinj… Jo vetëm për të rinjtë, për të gjithë artistët. Arti është në një mjerim të plotë, si asnjëherë tjetër!”
Lidhur me vlerësimet e munguara që nuk ia janë bërë regjisorit, Fejzo shprehet se “tashmë, për mua nuk ka asnjë kuptim vlerësimi. Mua edhe sikur të më bëjnë, qoftë edhe njeriun më të famshëm të botës për mua nuk ka vlerë. Pse? Sepse nuk është puna që të më vlerësojnë mua, mbetet vetëm një propagandë. Të gjitha këto çmimet që japin, jo “Nderi i kombit” apo “Mjeshtri i madh” janë teneqera që i varen artistëve. Artisti do skenën, artisti do filmin, artisti do publikun që të punojë. Do të gjitha këto që të ketë mundësi të marrë njerëzit më të aftë, e jo shkelë e shko, me justifikimin e mungesës së parave për të paguar profesionistët. Kështu që, vlerësimi im mbetet ajo që qe, e atyre kohëve. Unë jam i lumtur që sot e kësaj dite kudo që shkoj, kur më pyesin që çfarë filmash ke bërë dhe përmend të tillë si “Kapedani”, “Mësonjtorja”, “Operacioni i zjarrit”, “Muri i gjallë”etj., 14 filma në 35 vjet jetë kinematografie, njerëzit më hapin dyert. Më shikojnë me një respekt të jashtëzakonshëm. Është fjala e një njeriu të thjeshtë që më thotë: “Aman, kur do t’i shikojmë prapë ata filma”, vlerësimi më i madh që marr sot … “