Në fshatin Kukaj të Prishtinës u hap edicioni i tetë i festivalit "Etno Fest", ku hapja fillimisht u bë me ritin e stolisjes së nuses ilire, ku pas grimit të vajzave që ishin veshur si nuse, vizitorët patën mundësi të fotografohen me to. Fadil Hysaj, drejtor i pergjithshem i festivalit "Etno Fest", i cili bëri hapjen zyrtare të këtij edicioni, tha se kanë punuar gjatë gjithë vitit për këto pesë ditë. Ai prezantoi një pjesë të programit të Festivalit, ndër të tjerash, edhe Etno Teatrin, ku po mbahen të ekspozuara veprat e Simon Shirokës.
Hysaj njoftoi që sivjet do të jetë edhe teatri për fëmijë, ku do të performohet shfaqja "Magjistari i Ozit".
Ndërsa Justina Pula, e bija e artistit të ndjerë Simon Shiroka, tha se për të është emocion i veçantë kur e sheh që veprat e babait të saj po ekspozohen dhe vlerësohen edhe pas kaq vitesh.
Në hapjen e festivalit ishte edhe kryetari i VV-së, Albin Kurti, i cili tregoi se është hera e dytë që po merr pjesë në këtë festival. Ai tha se më së shumti i kanë lënë përshtypje ekspozitat e Simon Shirokës dhe Rexhep Ferrit. "Etno Fest" do të zgjasë deri më 5 shtator dhe organizatorët kanë paralajmëruar një program të pasur me ekspozita e performanca të ndryshme, me motive tradicionale.
Copë Copë rikthehet në kuadër të EtnoFest-it
Shfaqja “Copë Copë”, e cila është dhënë premierë në vitin 2015-të, do të rikthehet sërish në skenë pikërisht me 2 shtator nga ora 19:30 në festivalin “EtnoFest” në Kukaj. Artistet dhe mbijetuesja e dhunës së bashku janë bashkuar për të ndarë me publikun copëza përjetimesh nga jeta e tyre. Interpretime të përbashkëta të artisteve dhe të mbijetuarës së dhunës në hapësirën e njëjtë do të riaktualizojnë forcën që ato kanë gjetur për t’u përballur me realitetin. Dramaturge e kësaj shfaqje është Blerta Zeqiri ndërsa regjinë e saj e ka bërë Zana Hoxha Krasniqi. Në kuadër të kësaj shfaqje do të paraqiten: Melihate Qena, Anisa Ismajli, Donikë Ahmeti, Qendresa Kajtazi, Daniela Markaj, Albina Kelmendi dhe Bashkime Sulejmani. Performanca është produksion i Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis, ndërsa është përkrahur nga CFD.