Bujar Alimani: Shqiptarët po jetojnë diçka midis Rahjut te 3 dhe Perandorisë Otomane

Diel, 02 September 2018 09:25

Teatri në Shqipëri është pështyrë ndër gjithë këto vite nga politikanët. Kështu pohon regjisori Bujar Alimani, i cili iu bashkua protestës së artistëve që nga Amerika me qëndrimin e tij. Në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, regjisori Alimani shprehet se edhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro gjënë më të thjeshtë që duhet të bënte në gjithë këtë krizë është të japë dorëheqjen. Sipas regjisorit kjo do ta nderonte, pasi Ministria e Kulturës është shndërruar në një makinë kundër kulturës.  “Situata rreth Teatrit Kombëtar dhe për Teatrin Kombëtar në thelb ka sjellë vizionin më të qartë se çfarë është në të vërtetë forca politike, që në Shqipëri u trumbetua se po rilindte kombin dhe shtetin. Qeveria e të ashtu quajturve socialiste, po e ruante teatrin qe prej kohësh duke e piketuar një nga viktimat e rradhës. Zhbërja e institucioneve të tilla e lejonin kryeministrin të kryente dy punë, e para të lërë një gjurmë që s’mundi as si njeri as si artist, por as si politikan ta linte, pyllëzimin e Tiranës me kulla- një masiv betoni, i cili në jetë të jetëve do ishte shumë e vështirë ta shkatërrojë në të ardhmen, dhe e dyta aferat e majme financiare që vijnë si produkt i marrëveshjeve të pista me ndërtuesit që kërkojnë troje dëshiruese në qendër të kryeqytetit. Në Shqipëri flas me njerëz, në të gjitha bisedat ndihet kjo, që njerëzit e dinë të vërtetën, që ngrenë supet, që duket se frika dhe dëshpërimi i ka kapluar e mendimi fatal se ky vend nuk bëhet më. Ja çfarë më shtyu që ti bashkohem pa asnjë interes lëvizjes së artistëve e qytetarëve për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Nuk ka rëndësi mendoj se nga ç’pikë e globit je, e rëndësishme është të jesh aktiv me mënyrat e tua në mbrojtje të demokracisë, të vërtetës dhe fjalës së lirë.

Ministrja Kumbaro gjënë më të thjeshtë, që duhet të bënte në gjithë këtë krizë është të japë dorëheqjen. Kjo do ta nderonte. Në Japoni një tren vonohet 3 minuta dhe jep dorëheqjen ministri i Komunikacionit. A e mendoni ku jetojmë? Ministria e Kulturës është shndërruar në një makinë kundër kulturës. Asnjë brerje ndërgjegjeje, asnjë dorëheqje, asnjë reflektim, njerëzit përgjohen, provokohen, kërcënohen me vendin e punës. Frika, blerja, joshjet janë kryefjala e ditës. Shqiptarët po jetojnë diçka midis Rahjut te 3 dhe Perandorisë Otomane.

Të gjitha qeveritë e kanë përbuzur artin. Dalëngadalë politika shqiptare nga një Kuvend me akademikë, artistë, intelektualë, pedagogë, etj, degradoi ndër vite në turma deputetësh të paarsimuar, kriminelë, mafiozë, dhe tregtarë të pashpirt. Çlidhje mund të kenë këta njerëz me artin? Artin duhet ta çmosh shumë që ta mbështesësh.

Login to post comments