Drama shqipe zë një vend të rëndësishëm në sezonin e ri artistik. Teatri kombëtar e nis sezonin me festivalin e dramës shqipe, që do të mbahet tek “Arturbina“ në muajin shtator.
Teatri i metropolit me “Metrofest” drama shqipe nga arkivi. Ndërsa Teatri Eksperimental ka një sezon të ngjeshur, që do të jetë në çdo cep të Shqipërisë.
Institucionet kulture në kryeqytet rikthehen në punë, për të përgatitur kalendarët artistikë për sezonin e ri. Teatri Kombëtar e nis këtë sezon tek “Arturbina”, aty janë zhvendosur artistët dhe drejtuesit e këtij institucioni, për organizimin e Festivalit Kombëtar të Dramës Shqipe. Premiera e parë është “Tag”, komedi e shkruar nga Bashkim Hoxha e cila vjen me regji të Andia Xhungës.
Drejtorja artistike e Teatrit Eksperimental, Ada Ruci thotë se ky teatër prezanton një kalendar të ngjeshur. Starton me turne në Elbasan dhe do të vazhdojnë shfaqjet në disa qytete të Shqipërisë, thekson Ruci.
Edhe Teatri i Metropolit pritet të ketë një stinë artistike të ngjeshur. Vend të veçantë zë “Metrofesti”, ku fokusi është drama shqipe e arkivit, shpjegon Armela Demaj, përgjegjëse e artit skenik.
Në artet pamore, Galeria Kombëtare do të çelë sezonin me ekspozitën e artistes kosovare Flaka Haliti, me titull: “Këtu apo atje është me atje”.
Për spektatorin e muzikës klasike Teatri i Operas dhe Baletit në fund të muajit shtator do të risjellë operën “Karmen”, e cila rezultoi edhe një ndër shfaqjet me të suksesshme të sezonit artistik. Opera do të vihet në skenë në Pallatin e Kongreseve.