Kontributi i shqiptarëve katolikë në Shkup prezantohet në Tiranë

E mërkurë, 05 September 2018 10:41

Me rastin e 2-vjetorit të shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Shën Tereza, Muzeu Historik Kombëtar, në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve – Shkup do të organizojnë në 5 shtator një promovim libri dhe hapjen e një ekspozite.

“Familjet katolike shqiptare në Shkup”, titullohet libri i autorëve Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko, i cili do të promovohet në sallën “UNESCO”, në prani të akademikëve, historianëve, personaliteteve të letrave shqipe, etj. Në sallën e ekspozitave, për artdashësit do të çelet “Jeta përmes kujtimeve”, ekspozita dokumentare për familjet katolike shqiptare në Shkup.

Nëpërmjet dokumenteve, fotografive dhe dëshmive, autorët Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko kanë nxjerrë në pah kontributin dhe sfidat me të cilat shqiptarët katolikë janë përballur ndër vite. Në mesin e tyre janë Shën Nënë Tereza, kompozitori i njohur Lorenc Antoni e shumë të tjerë. Në rreth 500 faqe libri dokumentues “Familjet katolike shqiptare në Shkup” (dokumente, fotografi dhe dëshmi – I), sjell disa shtylla kryesore me synimin që të vërë në pah një pjesë të rëndësishme për kontributin e këtyre familjeve.

Login to post comments