Vazhdojnë çudirat dhe bëmat e Mirela Kumbaros, 40 stazhierë militantë të Partisë zënë vendin e specialistëve

Premte, 14 September 2018 08:00

Në vend të një institucioni model, ku të gërshetohej përvoja dhe profesinoalizmi i kuadrove, sot në Ministrinë e Kulturës kemi stazhierë, të rinj pa përvojë, militantë e bij militantësh, që kanë ardhur me rekomandime e nga lista e gjatë nepotike e pushtietit socialist.

Ata që përballet thuajse çdo javë me Ministrinë e Kulturës, individë dhe institucione të varësisë janë të befasuar nga “përzgjedhja e ministres”. Vetë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, së fundmi bëri me dije se rreth 40 të rinj janë të punësuar në Ministrinë e Kulturës. “Sot një dite ndryshe me anëtaret më të rinj të skuadrës së Ministrisë së Kulturës. 19 specialistë të rinj kanë fituar konkurset në DAP në vitin 2018 e janë bërë tashmë pjesë e Ministrisë së Kulturës. 6 drejtues të nivelit të mesëm e të lartë. 21 punonjës janë punësuar me kontratë të pjesshme këtë vit në sektorë të ndryshëm të ministrisë. 10 të rinj fituan kontratën 1 vjeçare pas praktikës profesionale 3 mujore në të cilën morën pjesë 20 studentë tashmë të diplomuar”, shkruan Kumbaro në Facebook. Sipas tyre në ministrinë e kulturës mund të gjesh gjithkënd, por specialist jo. Prej vitesh në atë ministri ka  mungesë specialistësh në fushën e trashëgimisë kulturore, në fushën e artit, librit dhe më gjerë dhe pasojat dihen, probleme në jetën artistike, mungesë e mosnjohje legjislacioni, rrumpallë në institucionet e varësisë, probleme me institucionet e trashëgimisë, dëmtime në monumente të kultures etj. Shpesh herë artistët akuzojnë ministrinë se nuk kanë status, nuk gjejnë zgjidhje hallet e tyre, nuk ka poltika të drejta dhe vision. 

Por për artistët, shkrimtarët, botuesit, apo dhe specialistët të fushës së trashëgimisë kulturore kjo vjen në vijim të fushatës që bëhet me punësimet, pasi sipas tyre Ministria e Kulturës duhet të kërkojë specialistët e mirëfilltë. Inxhinieri dhe restauratori Pavlo Shkarpa tregon se përballë mungesës së specialistëve në fushën e trashëgimisë kulturore shikohet çfarë veprash bën ministria. “Nuk ka në ministri specialistë të mirëfilltë, janë të rëndomtit, nuk ia vlen të diskutosh. Unë shikoj veprën e tyre. Në ministri nuk ka specialistë, në IMK nuk ka, sepse një restaurator nuk i bën ato gabime. Më vjen keq që mungojnë sot specialistët në ministri, nuk kanë kualifikimin e duhur kjo është e vërtetë. Edhe kjo që ka prezantuar ministrja, më shumë më duket militantë, të rinjtë që janë me partinë, pasi për specialistët e vërtetë nuk tregohet vëmendja”, pohon Shkarpa.

Botuesi Frano Kulli pohon se deklarimi i ministres, që janë punësuar një numër i konsiderueshëm të rinjsh është absurd. “Sapo e merr vesh këtë mua më duket lajm absurd dhe është në vijim të gjithçkaje absurde, që vazhdon në ministri. Nuk mund të merren drejtues dhe specialistë në Ministri të Kulturës si punëtorë me ditë pune në fasoneri apo ndërmarrje ordinere. Në të gjithë kuptimet që ta interpretosh mua më duket vetëm propagandë, që po punojmë dhe asgjë e duhur. Në fakt nuk ka asgjë serioze. Në Ministri të Kulturës duhet të jenë aty njerëz që njohin mirë përshembull veprimtarinë e librit dhe që kanë lidhje me librin”, pohon Kulli. Në reagimin e tij ai shton se ta kthesh në fushatë punësimin është absurde, sepse nuk ka lidhje me politikat kulturore dhe me librin. “Mund të ketë një përqindje minimale të rinjsh që mund të ftohen, por që ta kthesh në fushatë më duket absurde dhe nuk ka lidhje me politikat kulturore”, pohon botuesi Frano Kulli. Ndërkaq që artisti Rudi Sata edhe pse pohon se të rinjtë duhet të kenë vëmendje dhe përkrahur sërish ai shton se në Ministri të Kulturës duhen specialistët që mungojnë. “Ministrja Kumbaro më mirë të mendojë të ketë specialistë të fushës, se sa të deklarojë aq të rinj që qenka pjesë e skuadrës. Këtu nuk është çështja që hajde të plotësojmë vendet e punës, por të jenë ata të duhurit në ministri. Të vijnë specialistë me eksperiencë se sa të vijnë aty stazhierë”, vijon në fjalën e tij tenori Sata. Sipas tij nëse deri tani Kumbaro ka bërë gjërat gabim, nuk ka se si të bëjë të fundit mirë. “Kam përshtypjen që dhe kjo është një punësim militant sepse në vazhdën e atyre që ajo ka bërë në këto vite më lë të kuptoj, që kur një person bën 10 gjëra gabim, të 11 besoj nuk do ta bëjë mirë”, përfundon tenori Rudi Sata.

Modifikuar më Premte, 14 September 2018 08:06
Login to post comments