Artan Maku: Ministria e Kulturës është kthyer në një OJF të madhe, që nuk mban përgjegjësi…

Saturday, 15 September 2018 07:38

“Kam vënë re që këtu ka një mbivendosje te institucionet dhe një amulli të paparë, si dhe një shpërndarje që asnjë nuk mban përgjegjësi dhe kapërcejnë nga një degë te një tjetër. Po kush është kryesori pyesim ne? Lidhu me ministrinë përgjigja, “thotë producenti dhe regjisori Artan Maku, njëherësh drejtor i “Rozafa film festival”.  

“Politika e artit dhe kulturës në Ministri të Kulturës nuk ka organizim të qartë, deri sa ndërthuren interesat dhe qëllimet. Aty veprojnë dy linja, duke filluar nga ministrja dhe zëvendësministrja, e cila jam i bindur që nuk e njeh zhvillimin e kulturës, fizionominë e kulturës në Shqipëri. Ministria e Kulturës është kthyer një vasale e politikave kulturore të Kosovës. Ne shikojmë që ministrja Kumbaro merr pjesë direkt në aktivitetet të ndryshme, por që nuk hyjnë në formatin e politikave. Ne i ftojmë drejtuesit dhe ministren në aktivitetet tona kombëtare dhe ndërkombëtare, që realizohen në Shqipëri, por çuditërisht nuk vijnë a thua se nuk është pjesë e politikës kulturore kombëtare. Dhe e kundërta ndodh me promovimin e aktiviteteve të politikave kosovare, që realizohen në vendin tonë. Kjo tregon se po ndryshojnë këndvështrimet, duke ndikuar direkt ose indirekt, edhe fryma që egzistonte jep imazhin sikur zëvendësministrja kontrollon gjithë ministrinë. Ministrja Kumbaro merr pjesë gati tek të gjitha aktivitet e tyre dhe tek ne jo. Edhe tek takimi për strategjinë e kulturës zëvendësministrja Shujaku ishte aty, por më shumë sa për të kaluar radhën”.  

Lidhur me kërkesat që kanë krijuesit, artistët ndaj ministriesë së kulturës, Maku thotë se “E para të japë vetë ministrja e Kulturës llogari kur ballafaqohet me krijuesit. Me këtë që po bën ministrja ka kaluar rradhën. Mos të kapërcejë përgjegjësia nga Kumbaro te zëvendësministrja Shujaku. Por duhet të jetë vetë ministrja Kumbaro të marrë përgjegjësitë në art dhe kulturë. Ministria e Kulturës është kthyer deri diku si një OJF e madhe dhe politikat ia ka kaluar tjetër kujt, që nuk mban përgjegjësi. Shujaku nuk mban përgjegjësi për politikat tona. Mbaron mandatin dhe ikën. Por ministrja Kumbaro duhet të mbajë përgjegjësi. Më falni kur nuk ka politika të qarta, nuk mban përgjegjësi çfarë presim? Ne vjet bëmë në takim me ministren e Kulturës, dhe i është kërkuar asaj dhe një takim i mëvonshëm, që nuk u realizua. Ministrja atëherë tha që ministria ka prioritet jo vetëm politikat e qendrës, por dhe të periferive në vend nëpërmjet kulturës, të cilat nuk u ndjenë më.”

Login to post comments