Viti kulturor Austri- Shqipëri, një javë me filma dhe muzikë

Hënë, 17 September 2018 17:01

Vitit kulturor Austri- Shqipëri po vijon me aktivitete dhe veprimtari të ndryshme artistike dhe kulturore. Në këtë kuadër ka nisur Festivali i Filmit dhe Muzikës, i cili po zhvillohet çdo mbrëmje nga data 13 deri në 20 shtator në Pazarin e Ri në Tiranë. Programi artistik i festivalit të filmit vjen përmes koncerteve live, filmave austriakë dhe shqiptarë, deri tek disa materiale variete dhe komedi. Risi edhe një seri dokumentarësh të shkurtër si “Tinguj të Zjarrtë” e Ardian Murraj, “Poeti 15 vjeçar” nga Halil Kamberi, “Vallëzimi i shqipeve” nga Endri Keko dhe “Në festivalin e 11-të të Këngës” nga regjisorja Donika Muçi.

Festivali në thelb kulturor ka në ditët e tij dhe gastronominë. Çdo ditë duket si një festë edhe gastronomike me një gamë të gjerë shijesh ndërkombëtare. Ambasada Austriake në Tiranë dhe Bashkia e Tiranës janë iniciatorët e këtij festivali. I nisur më datë 13 shtator, festivali i filmit si format merr shkas nga festivali i filmit muzikor në Vjenë, i cili zhvillohet prej vitit 1991 në Sheshin Wiener Rathausplatz të kryeqytetit Austriak. Festivali i Vjenës ka kapërcyer kufijtë e Austrisë për t’u vënë në jetë në Budapest, Bukuresht, Nju-Jork, Tokio, Jekaterinburg dhe tashmë formati i tij propozohet dhe në Tiranë. Misioni i këtij festivali kulturor filmi, muzikë dhe kulinarie është të sigurojë një qasje të gjerë në artet pamore, interpretuese, duke angazhuar kështu një publik masiv dhe krijuar kohezion social. Aktivitetet ofrohen falas në një mjedis unik, të hapur dhe të lirë, siç është Pazari i Ri.

Në faqen e Ambasadës Austriake shkruhet se arti dhe kultura kanë treguar se shërbejnë si ura komunikimi mes popujve dhe njerëzve dhe si instrumentet më të mirë për t´i bërë bashkë ata. “Bashkëpunimi kulturor dhe ekonomik mes Shqipërisë dhe Austrisë ka një traditë të gjatë dhe mund të cilësohet si një ndër pjesët më të rëndësishme të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve. Nga ana tjetër, talentet shqiptare e kanë pasuruar dhe vazhdojnë ta pasurojnë jetën kulturore austriake. Mund të përmendim këtu aktorin me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu, një ndër aktorët më të njohur dhe më të rëndësishëm të kohës në Vjenë”, bën me dije ambasada.

Login to post comments