“Babai” i Spiro Duni nis turin nga Korça

E Enjte, 20 September 2018 15:36

Komedia e trishtë “Babai” me regji nga Spiro Duni dhe një kast aktorësh të njohur për dy mbrëmje me radhë do të jetë në skenën e teatrit të qytetit të Korçës. Me veprën e autorit Florian Zeller regjisori Duni ka nisur dhe turin teatror në skena të ndryshme. Pas qytetit të Korçës vepra teatrore do të jetë te “Turbina” në Tiranë, për të vijuar më pas edhe në skena të tjera. Drama  “Babai” mbrëmjen e datave 22 dhe 23 shtator do të jetë në teatrin “Andon Zako Çajupi”, dhe rolet interpretohen nga një kastë aktorësh të njohur. Roli i babait luhet nga aktori Reshat Arbana, personazhi i Anës nga Flaura Kureta, për të vijuar dhe me të tjerë personazhe që luhen nga aktorët Hysen Mullajonuzi, Mario Elezi si dhe Elia Zaharia. Me rolin e babait në këtë vepër aktori Reshat Arbana u rikthye pas disa vitesh mungesë në teatër.

Për aktoren Flaura Kureta “Babai” në teatër është një shfaqje, që të gjithë do ta gjejnë veten në historinë e saj. “Unë e di çfarë është sëmundja e alzheimerit dhe pasojat e saj. Besoj të gjithë njerëzit do të gjejnë një njeri të dashur aty, dhe lotët do të jenë të pashmangshëm në fund të shfaqjes, sepse e tillë është vepra”, pohon aktorja Kureta. Për aktoren, jo vetëm puna e regjisorit Spiro Duni ka qenë me vlerësim, por dhe autori është një nga emrat më të mirë kontemporan të këtij shekulli. “Regjisori Spiro Duni, e ka cilësuar një komedi të trishtë, por dhe autori vlen të përmendet si një nga më të mirët kontemporan të këtij shekulli. Puna që ka bërë regjisori Spiro Duni në shfaqje, si dhe pjesa tjetër e kastit është për tu vlerësuar. Në fillim jemi në Korçë, në festivalin e teatrit në Tiranë më 29 shtator, besoj do të jemi në Vlorë dhe më tej”, tregon mes të tjerave aktorja Flaura Kureta.

Login to post comments