Ndriçim Xhepa: 70 përqind e shfaqjeve skenike, mediokre

E mërkurë, 26 September 2018 08:25

Në një kohë kur shtrohet me të madhe vënia në skenë e vperave shqiptare, aktori i shquar i skenës dhe ekranit, Ndricim Xhepa, njëherësh edhe kryetari i jurisë së  Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit,  shprehet se produktet skenike vitet e fundit kanë nivel të ulët artistik. Ky pohim dramatik i mjeshtrit Xhepa rikthen edhe një herë debatin nëse teatri shqiptar duhet të ekseprimentojë me vepra shqipe, qofshin këto mediokre, apo duhet të përzgjedhë nga dramaturgjia e huaj.

Kryetar i jurisë këto ditë në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit, Xhepa shprehet se deri në 30 përqind e produktit teatror në skena të ndryshme të teatrove ka vlera.

“Që të jem i sinqertë 20-30 përqind e produktit që prodhohet mund të jenë shfaqje që ia vlen të shikohen, me regji të mirë, të arritura, 70 përqind janë më se mesatare, më se mediokre, që po të kishte ca këshilla artistike vendimarrëse duhet t’i bllokonin. Ka shumë shfaqje, që janë ordinere” ka pohuar ai.

Nga ana tjetër ai thotë se realizmi i festivaleve është i rëndësishëm për të rritur cilësinë. “Është e natyrshme që në harkun e dy vjetëve nëqoftëse kryeqendrat mund të kenë 12-13 premiera të kryera dhe nga këto të nxjerrin dy produkte të mira aq më tepër që mbas kaq kohe ne të përfaqësohemi në festival me këtë. Po këtë gjë duhet ta bëjnë edhe qytetet më të vogla dhe trupat më të vogla. Kjo do të rrisë cilësinë e shfaqjeve dhe të festivalit” vijon aktori.

Pjesë e këtij festivali janë edhe takimet për veprat teatrore, që të ngjiten në skenë. Sipas tij, regjisorë e kritikë duhet t’i thonë gjërat në sy, për të mos reaguar më pas në lidhje me vendimet e jurisë. “I ftojmë në bisedat dhe analizat që do të bëjmë, të gjithë ata që duan të flasin pastaj nëpër Facebook për vendimet e jurisë. Le të vijnë ti shohin shfaqjet, le të thonë mendimin e tyre përballë regjisorëve, krijuesve e artistëve, jo të luajnë një rol e të ikin pa parë të tjerët dhe pastaj të flasin në Facebook”, vijon më tej aktori Xhepa.

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit zhvillohet në datat 23-30 shtator dhe në të marrin pjesë 14 trupa nga të gjitha trevat shqiptare. Juria përbëhet nga presidenti i festivalit e kryetari i jurisë, Ndriçim Xhepa, si dhe Luli Bitri, Shkumbin Istrefi, Qëndrim Rijani dhe kritiku i teatrit Josif Papagjoni. Festivali që ka nisur më datë 23 të këtij muaji është cilësuar nga institucionet si ngjarja më e rëndësishme teatrore e vitit. Deri tani në skenën e festivalit janë ngjitur komedi dhe drama të autorëve të ndryshëm.

Login to post comments