U bë e famshme në Eurovizion, grekët dokumentar për këngëtaren Eleni Foureiran

E mërkurë, 03 October 2018 17:21

Gazetarët e një emisioni në Greqi kanë udhëtuar drejt Shqipërisë, për në vendlindjen e këngëtares Eleni Foureira.

Kamera e emisionit “Happy Day” shkoi në fshatin Selisht, vendlindjen e Elenit, që ndodhet 1 orë larg qytetit të Fierit. Aty u takuan me kreun e kësaj njësie administrative, i cili u tha gazetarëve se familja e Elenit kishte jetuar në këtë fshat para se të emigronte për në Greqi. “Që do të bëhej kaq e famshme, nuk e besonin as prindërit e saj. Jemi shumë të lumtur për të dhe presim që Eleni të vijë në fshat dhe të mbajë një koncert këtu”, tha kryeplaku i këtij fshati për gazetarët grekë.

Për emisionin folën edhe banorë të tjerë të këtij fshati. Ata i dërguan këngëtares me origjinë shqiptare edhe një mesazh:

“Siç ke qenë një vajzë e mirë, e edukuar dhe e respektuar, vazhdo të qëndrosh kështu. Ka gjakun e babait tim dhe vlerësim për prindërit e Elenit që kanë rritur atë vajzë. Mendoj se e ka ndryshuar mbiemrin e saj. Është fëmijë i vetëm, ka lindur këtu. Emrin e vërtetë e ka Entela”, thanë disa prej banorëve që u pyetën nga stafi i emisionit në Greqi, i cili realizoi një reportazh në vendlindjen e këngëtares.

Eleni Foureira, e cila prej vitesh jeton dhe punon në Greqi ku ka ndërtuar karrierën e saj të suksesshme, këtë vit përfaqësoi Qipron në Eurovision duke zënë vendin e dytë.

Login to post comments