Afërdita Onuzi: “Ne si Institut varemi nga MAS, ndërsa pavioni i etnografisë në MHK që po vijon të qëndrojë mbyllur është një përgjigje që duhet ta japë Ministria e Kulturës”.
Fondet etnografike janë të rrezikuara nga mungesa e kushteve. Edhe pse bëhet një punë e madhe nga punonjësit që merren me fondet dhe studiuesit, kushtet në të cilat janë prej vitesh lënë për të dëshiruar. Etnografia e njohur prof. dr. Afërdita Onuzi pohon se duhet të bëhen investime nga shteti, që kjo gjendje të ndryshojë, por fatkeqësisht sipas saj kjo ka munguar prej vitesh. “Siç e dini në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit është dhe qendra kryesore e të ruajtjes së të dhënave të trashëgimisë kulturore, të identiteti kulturor të popullit tonë. Unë do të desha, që këtu të përfshiheshin dhe punonjës të muzeve të ndryshëm në vend. Në kontributet e etnografisë dua të përmend me shumë respekt, duke filluar nga Rrok Zojzi, Hasan Çatipi, Andromaqi Gjergji, Abaz Dojaka, Spiro Shkurti, Mark Tirta, Fiqiri Haxhiu dhe shumë të tjerë. Bazën e tyre e ka vendosur Rrok Zojzi, dhe fondi etnografik ka filluar të krijohet në vitin 1947. Falë nuhatjes, mençurisë dhe parashikimit të një 37 vjeçari ato vite që ishte një njeri i apasionuar pas udhëtimeve, dhe duke shoqëruar të huajt ai u fut në magjinë e trashëgimisë kulturore. Ishte ky njeri, që vuri bazat e zhvillimit të shkencës së etnografisë në vend, i pasuar më pas dhe nga të tjerë. Por Rrokut i jemi mirënjohës, sepse përveçse krijoi fondet ai bëri dhe pajisjen me dokumentacionin shkencor të objekteve etnografike. Por punonjësit e sotëm nuk e kanë luksin për të pasur terren dhe për të blerë për fondet etnografike për arsye nga më të ndryshmet. Në kohën kur ne kemi mbledhur objektet, fondet ishin ende në qarkullim. Sot nuk para i gjen, por me ato bartës që kanë mbetur, me grupmoshat e vjetra mund të bëhet një identifikim. Por ne sot mund të mbledhim edhe të tjera prodhime. Mendoj se është gabim të thuhet, që shkenca etnografike e ka mbyllur shkencën e saj, pasi sa ka popull dhe etnografi kjo shkencë do të jetë. Pra duhet punuar që të identifikohen çfarë prodhon nga ana materiale dhe shpirtërore një popull në periudha të ndryshme historike. Ndaj këto ligjërata, që bëjmë ne sot janë dhe si një orientim që të mbledhin edhe prodhimet e sotme dhe të bëjmë të njëjtin dokumentim, por duke njohur. Traditat përbëjnë historinë.
Që nga viti 1989 nuk janë blerë fonde. Pas këtij viti fondi etnografik me objektet është pasuruar falë dhuratave. Pas ’89 falë faktit që jam ftuar nëpër festivale folklorike apo me ndonjë ekspeditë të sajuar sepse dhe për këto nuk ka buxhete, ndonjë grimcë ka, kam arritur të mbledh objekte nga bartës apo grupet artistike dhe të krijohet një fond i veçantë i kësaj periudhe. Pas 1989 në formë dhurate fondi etnografik, por zero i blerë. Edhe për ekspeditat ka shumë pak buxhet. I pamjaftueshëm për studiuesit. Edhe për ekspeditat ka qenë më shumë pasioni. Para ‘90 nuk është nostalgjia për atë sistem, por për kohën e punës dhe vlerësimin. Ato vite për ekspeditat e studiuesve, për blerje fondesh etnografike apo dhe për botime është bërë mjaft.
Sot nuk është e mundur të dokumentohen edhe format që janë të ngjashme me objektet autentike. Nuk kemi para për të blerë dhe futur objekte të tjera në fondet etnografike. Mungesa tjetër më e madhe është fakti që mungon muzeu etnografik.
Në Muzeun Historik Kombëtar është pavioni etnografik, projekt që filloi që në 2007. Unë ende nuk e kuptoj çfarë duan të thonë me rikonceptim. Ku konsiston rikonceptimi nga Ministria e Kulturës. Unë nuk po shikoj asnjë shenjë, dhe çfarë do të kemi me këtë rikonceptim, ndërkohë që objektet po lëngojnë në vitrinat që janë në pavionin etnografik. Manekinat e veshura në atë pavion, një pjesë e konsiderueshme janë të pambuluara dhe s’e di sa kohë do të na duhet dhe një herë t’i pastrojmë dhe restaurojmë. Unë nuk di kur do të vijë ai moment për t’i vendosur në vitrina. Po kalojnë stinët njëra pas tjetër në vite, dhe se kuptojmë pse ky pavion nuk po e hap derën e tij. Përgjegjësia është e Ministrisë së Kulturës, të thotë pse nuk po hapet pavioni i etnografisë në Muzeun Historik Kombëtar. Të më kthejnë dhe mua përgjigje për pavionin e etnografisë, që të di dhe të marr kënaqësinë e hartimit të platformës dhe zbatimit të saj. Ne si Institut varemi nga MAS, ndërsa pavioni i etnografisë në MHK që po vijon të qëndrojë mbyllur është një përgjigje që duhet ta japë Ministria e Kulturës.
E them këtë, sepse studiuesit e mirëfilltë që e kanë në ngarkim dhe janë marrë me studimin trashëgimisë kulturore nuk e kanë këtë mbështetje. I bëj thirrje këtyre organizmave të jenë më selektiv në dhënien e fondeve, duke kërkuar një garanci kush janë njerëzit, që ata mbështesin.
Janë në ulërimë arkivat në Shqipëri, e para sepse ne nuk po mundemi të fusim objekte të tjera. E dyta kishim një reformë në 2007, që u hoq nga qarkullimi edhe një laborator për restaurimin e objekteve. Ekzistonte një laborator, por nuk është më prej vitesh. U bë transferimi më pas i fondeve etnografike, dhe këtu ku janë sot nuk kanë kushte. Objektet dhe fondet muzeale ruhen në vende të sigurisë më të madhe. Madje unë do të kërkoja që të futemi dhe në ruajtjen e policisë, për ato që janë emergjente. Fondet etnografike duan kushte për ti ruajtur dhe nga agjentët atmosferikë, pluhurat, etj. Unë e di që është e kushtueshme, por ky investim i shtetit do të jetë për gjënë më të qënësishme, trashëgiminë tonë kulturore. Dhe këtu ku janë sot fondet etnografike të bëhen ndërhyrje në godinë, mos të jetë më tarracë edhe mola ka terrenin më të mirë për tu zhvilluar. Pra ne për objektet etnografike kërkojmë nga shteti kushte më të mira fizike për ruajtjen e tyre. Pas 2007 këto probleme janë ngritur herë pas here dhe asgjë nuk është bërë për fondet etnografike.