“Rrëfimet e një koleksioni albanologjik, Shqipëria dhe shqiptarët nga Skënderbeu tek Pavarësia”, me larmishmërinë e librave të vet, me epokat që ngërthen, me titujt që trajton dhe me tematikën e saj të pasur, nxiti organizimin e një konference shkencore.
Ky është një bashkëpunim shumë i frytshëm dhe i rëndësishëm që Muzeu Historik Kombëtar ka filluar me koleksionistin Ylli Sula. Një pjesë e rëndësishme e këtij koleksioni dhe të librave që mungojnë në Bibliotekën Kombëtare do të digjitalizohen dhe do t’i dhurohen Bibliotekës Kombëtare. Në këtë mënyrë studiuesit e disiplinave të ndryshme, shkencore e historike, do të kenë mundësi për t’i trajtuar në studimet e tyre.
Konferenca shkencore e sotme përbëhej nga kumtesat albanologjike të studiuesve: Aurel Plasari, “Skënderbe në dashurinë e një bibliofili”; Xhevat Lloshi, “Visaret befasuese të një koleksioni të rrallë”; Skënder Blakaj, “Kontributi shqiptar i Papë Albanit, përfshirë kryeveprën ‘Illyricum Sacrum’ dhe Skënderbeu”; Pëllumb Xhufi, “Epiri dhe Kosova në literaturën historike të shek. XV-XVII”; Irakli Koçollari, “Një epokë dhe një personazh që pruri në vëmendjen e Europës dhe më gjerë Shqipërinë dhe shqiptarët”; dhe Dorian Koçi: “Grand Tour”- Udhëtime dhe zonjat angleze në Shqipëri”.
Në këto kumtesa u trajtuan me detaje dhe me hollësi pjesët më të rëndësishme të koleksionit të Ylli Sulës, sesi këta libra ndërthuren për të krijuar një panoramë të përgjithshme të studimeve historike në Shqipëri.
Për herë të parë në Muzeun Historik Kombëtar janë ekspozuar për publikun, një koleksion unik librash, hartash dhe gravurash të vjetra të shekujve XV – XIX, shkruar për Shqipërinë dhe shqiparët.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 30 Tetor 2018, në ambientet e Sallës së madhe të ekspozitave të Muzeut Historik Kombëtar.