Ekspozita “Histori në dru” prezanton për publikun 30 vepra të piktorit të njohur Gazmend Leka në galerinë e artit “Kalo”.
Ekspozita kuruar nga Ardian Isufi e cila është çelur më 23 tetor përmban veprat e koleksionit të kësaj galerie të mbledhura ndër vite. Piktori shprehet se janë punime, që datojnë që nga 1990 dhe deri në vitet e fundit. Piktori Gazmend Leka tregon se këtë herë kjo ekspozitë është si një udhëtim ndër vite me punët e tij. Kjo ekspozitë sipas kuratorit ka qenë si një surprizë, dhe si një dhuratë në 65 vjetorin e tij.
Ekspozita “Histori në dru” vjen pas asaj me titull “Lutja” në galerinë FAB me punimet e piktorit. Publiku në galerinë “Kalo” këto ditë gjen të ekspozuara 30 vepra të piktorit Gazmend Leka, i cili shprehet se për artistin ka shumë rëndësi ekspozimi i veprës.
“Ato merren nga koleksionistë dhe nga publiku i thjeshtë e të zhduken nga sytë. Të mbetet vetëm një foto si kujtim, por koleksionistët-galeristë të bëjnë të rijetosh veprën tënde. Prandaj ishte e një rëndësie të veçantë kjo ekspozitë e papritur”, nënvizon piktori.
Pas ekspozitës “Histori në dru” e cila do qëndroj e çelur për publikun deri më 4 nëntor artisti tregon se deri në dhjetor, do të ekspozojë edhe në dy ekspozita të tjera në grup.