Nonda Varfi: Ministria e Kulturës s’ka strategji. Çmimet e letërsisë paravendosen nga klanet e ministrisë

E Enjte, 01 November 2018 10:47

Fondet që ndan Ministria e Kulturës që janë mbështetje për librin dhe përkthimin për autorë dhe përkthyes nuk shkojnë gjithmonë atje ku duhet. Herë pas here ata shprehen për mosvlerësimin e duhur në projekte të ndryshme, një situatë që sipas tyre po vijon. Sa i takon fushës së përkthimit problemet nuk janë vetëm te mbështetja me projektet, por dhe kriteret e vlerësimit. Prof. dr. Nonda Varfi, njëherësh ish-koleg me ministeren e sotme të kulturës,  pohon se Ministria e Kulturës duhet të bëjë strategjitë e kulturës, ta shikojë si një aset të madh të kombit dhe të investojë. Ai shprehet se problem vijojnë të jenë komisionet, që krijon ministria dhe vendosin për fituesit.  Nonda Varfi ka 82 tituj të përkthyer, nga të cilët 32 romane pjesa tjetër në teatër, prozë e shkurtër e poezi.  Përkthyesi Nonda Varfi me rrugëtimin e tij në letërsinë botërore pruri në gjuhën shqipe autorët Kazantzaki, Bergman, Merime, Kamy, Sagan,Ben Jelloun, Jasmina Khadra, Ayme, Baffi, Crisinel, Maggiolo, Papini, Sepulveta, Paulo Coelho, Le Clezio, etj. Gjatë kësaj kohe ai tregon se në punën e tij po përkthen të tjerë autorë.

“Sigurisht që titullarët në institucione ikin dhe vijnë. Nëse do të bëjmë një përllogaritje, ka ministra që kanë ardhur dhe kanë ikur, kjo do të vijojë. Problemi qëndron te arsyeja. Subjekti është individi që bën politikat, me të drejtën e bërjes së politikës në kurriz të popullit. Ministrat nuk i zgjedhim ne. Ministrat i zgjedhin ata për arsye pse i zgjedhin. Kështu që kjo krijon dy mundësi. Mundësinë e abuzimit nga ata që nuk janë zgjedhur, dhe mundësinë e paabuzimit nga ata që nuk i zgjedhin. Një ministër Kulture nuk zgjidhet nga unë që të japë llogari te unë, dhe ka të drejtë të bëjë çfarë të dojë në kuptimin e abuzivitetit. Ministria e Kulturës në përgjithësi do të bëjë strategjitë e kulturës dhe ta shikojë si një aset të madh të kombit, të investojë. Në rastin e librit dhe përkthimit një ministër Kulture abuziv mund të thotë, nga thesi që kam unë po nxjerr disa para që t’ia jap përkthimit. E drejta e tij dhe në rregull ministri apo ministresha. Por nuk është kjo, sepse e para paratë janë të taksapaguesve. E dyta, këto para duhet të përdoren për të dhënë një vlerë. Vlera e librit matet me lexuesin, dhe duhet të dish çfarë vlere do ti japësh lexuesit. Sigurisht që ka mekanizma justifikues, thuhet bëra tenderin, erdhën u paraqitën dhe u shpallën fitues. Unë si di kriteret. Por sot shkruajnë libra shumë autorë dhe kemi vepra. Ne jemi një popull i vogël, dhe me buxhet po të paktë. Çfarë do ti japim lexuesit? Një libër të rëndësishëm, një thriller apo në qerthull? Mjafton të bëni një analizë, një informacion për 5 vjet kush ka marrë sponsorizim, çfarë janë botuar dhe kush i ka marr çmimet. Nëse dimë këto e marrim vesh çfarë ka bërë Ministria e Kulturës. Ikni shikoni kush janë në juritë e komisioneve të Ministrisë së Kulturës, si riciklohen ata dhe kujt ia japin çmimet dhe përse japin? Ka ndonjë logjikë? Në përkthim përshembull përse jep çmim? Jep për veprën letrare apo nivelin e përkthimin? Ka ndonjë kriter Ministria e Kulturës? Në momentin që ti vlerëson veprën duhet t’ia japësh autorit dhe shtëpisë botuese që ka përkthyer veprën, ndërkohë që kur jep çmim për përkthimin duhet të vlerësosh nivelin e përkthimit dhe përkthyesin. Pra edhe një përrallë e vogël po të përkthehet apo një poezi nëse jep çmim për përkthimin duhet ta marrë përkthyesi dhe jo autori. Çmimet i japin më njeh dhe të njoh. Nuk ka nevojë ta them unë. Ju thashë shkoni në Ministri të Kulturës dhe kërkoni kush ka qenë në juri dhe kanë marrë çmime këto 5 vjet. Riciklohen ata, njëherë njëri e njëherë tjetri. Ministresha ka një thes atje, dhe këtë vit do t’i japë filanit, e heq nga juria dhe vë një tjetër. Nuk jam xheloz për këtë sepse unë nuk përkthej për çmime, dhe nuk e dua prej tyre dhe sikur të ma japin nuk e marr. Sepse ka një gjë, Papën e zgjedhin kardinalët jo famullitarët e fshatit. Më duket se me këtë u shpreha qartë.

 Ministria e Kulturës nuk duhet të niset në hapjen e këtyre filozofirave duke u nisur nga paratë. Ministria e Kulturës duhet të bëjë strategji dhe nuk justifikohet që kam këtë buxhet dhe me këtë i zgjidha problemet e kulturës, përthimit etj. Mos të thotë kam dhënë fonde, sepse nuk janë paratë e ministrisë, por janë të taksapaguesve shqiptarë dhe ato para të shkojnë në drejtimin e duhur.

E përmenda pak më lart, në përkthim dhe në çmimet letrare janë vetëm një qerthull miqësor. Kaq. Duhen filozofira nga Ministria e Kulturës qoftë për letërsinë dhe përkthimin, si dhe gjithë sferës kulturore. Unë këto pesë vite nuk i kam parë këto, sepse është një qerthull i mbyllur.

Në politikat e librit duhet të ndryshojnë njerëzit në fillim. Po nuk u ndryshuan njerëzit nuk ndryshojnë as mendësitë. Këta njerëz janë të ngulitur në ministri duan vetëm dhe vetëm të përfitojnë pa dhënë. Duan vetëm të shesin dëngla nëpër televizione.”

Login to post comments

Lajmet e fundit

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

Politikë

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

    I ftuar në edicionin e pasdites në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca për të folur për shpërqëndrimin që po i bën Rama shqiptarëve me 'Shtetin Bektashi', mes skandaleve që...

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Politikë

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Nga Xhuljan Guçe: Në një deklaratë të fundit, drejtuesi i Partisë Socialiste në Korçë, z. Niko Peleshi, njoftoi se partia e tij synon të sigurojë 6 mandate në këtë qark, duke...

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

Politikë

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

  Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, ka deklaruar se me vendimin e marrë të enjten në Kuvend për mos dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të Olta Xhaçkës, ka rënë...