Teatri shqiptar është i izoluar dhe duhet të prezantohet jashtë në skenat e huaja. Për regjisorë të ndryshëm ky është një nga problemet, që ka lidhje dhe me politikat që ndiqen për teatrin. Regjisori Adonis Filipi tregon se në Shqipëri ka artistë me vlera të teatrit, por dhe në drejtimin skenik nuk mungojnë, problem mbetet se bëhet shumë pak për t’u ballafaquar me jashtë. Pas prezantimit në skenën e Elbasanit, regjisori Adonis Filipi me veprën teatrore “Volpone” prezantohet mbrëmjet e së mërkurës dhe të enjtes në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental. Ai tregon se që në fillim është menduar që të zgjidhnin një vepër që të ishte sa më pranë problemeve, shqetësime dhe ngacmimeve që ka spektatori. “Që në fillimet e veta, në zgjedhjet e këtij repertori, u mor në konsideratë ideja që të zgjidhnim një vepër që të shkonte tek ndjeshmëria e spektatorit, ku parësore gjithmonë është problematika. Të zgjidhnim një vepër, që të kishte problematikë, të ishte afër problemeve, shqetësimeve dhe ngacmimeve që ka spektatori, sigurisht deri diku edhe në një lloj shijeje të tij. Por sigurisht edhe duke paraprirë me perceptime estetike, të cilat edhe të sillnin risi. Kështu që zgjedhja, që ne i bëmë veprës “Volpone” mendoj se funksionoi, qoftë edhe në pikëpamje të problematikës, që përcjell vepra, që është ajo e makutërisë së njerëzve karshi parasë, pasurisë në kurriz të të tjerëve dhe jo vetëm kaq. Por personazhi kryesor lakminë ndaj të tjerëve e fokuson deri aty sa ai ka lakmi dhe veten e vet siç është “Volpone”, dhe aspekti tjetër është që kjo lloj vepre krijon provokime artistike, të cilat nuk ishin të lehta për ti zgjidhur.
Unë gjykoj që sot ne jetojmë në një sinoptikë të tillë, që vendi ynë synon, që aderon të jetë anëtar i Komunitetit Europian. Dhe ne atje do të shkojmë me politikat, që mbështesin zhvillimin ekonomik dhe social. Por duhet të shkojmë sigurisht dhe përmes artit dhe kulturës. Por që të shkosh përmes artit dhe kulturës është e nevojshme, që ne të jemi në relevancë me ata, me zhvillimet kulturore dhe artistike që ndodhin jo vetëm në rajon, por dhe në Europë. Në këtë kontekst ballafaqimi dhe promovimi i këtyre vlerave bëhet një nevojë e domosdoshme.
Unë mendoj që nga të gjitha gjinitë sidomos teatri shqiptar ende vazhdon të jetë i kufizuar, vazhdon teatri të jetë i izoluar. Bëhet shumë pak. Në përgjithësi teatri shqiptar vazhdon të ballafaqohet vetëm me veten e tij. Por ky është problemi më i madh. Ballafaqimi me botën të krijon mundësi që ti të dish ku je sigurisht dhe të kontribuosh. Unë mendoj që Shqipëria i ka mundësitë për këtë. Ne kemi artistë me vlera të skenës së teatrit, por dhe të drejtimit skenik. Ne i kemi, por faktikisht është nevoja për t’u ballafaquar me jashtë dhe për të përfituar nga këto ballafaqime. Dhe gjëja më e rëndësishme, ajo dashje pa dashje do të provokojë vizione, do të provokojë iniciativa dhe qasje të reja skenike. Kjo është tepër e domosdoshme, dhe mbi të gjitha do të rrisë dhe vokacionin e vetë teatrit. Nocioni i teatrit sikurse i kulturës nuk është një nocion statik. Nuk është një nocion stanjativ, por për të qenë në lëvizje. Kjo lëvizje vjen në radhë të parë përmes këtij laboratori të brendshëm që ka çdo teatër dhe njësi teatrore, çdo qelizë e artit, por njëkohësisht kjo nuk mund të zgjidhet brenda një mjedisi të mbyllur. Është e nevojshme, që çdo gjë të jetë kompetitive dhe ballafaquese. Në këtë nevojë marrja dhe dhënia mendoj se është një nevojë jetike për teatrin. Ajo së pari jo vetëm kultivon vetë gjallesën teatrore, por mbi të gjitha ndikon në mënyrë të veçantë në edukimin estetik të spektatorit. Ne themi që është po i njëjti spektator, por mos harrojmë që ai evoluon, dhe për më tepër sot kemi një spektator gati 1 milionë banorë në Tiranë, i cili është i larmishëm. Ti je i detyruar, që ti përgjigjesh me repertor këtij diversiteti. Këtu duhet të funksionojnë politikat e teatrit. Dhe teatri nuk bëhet vetëm në skenën e një Teatri Kombëtar apo një Teatri Kombëtar Eksperimental, por duhen gjetur forma të tjera, siç po ndërtohet “Turbina” etj. Pra ka nevojë për më shumë mjedise teatrore. Duhet kultivuar dhe teatri i rrugës, sepse të gjitha së bashku ndikojnë në rritjen e nivelit jo thjesht intelektual, por dhe nivelin e jetesës së qytetarëve”.