Shuhet në moshën 75-vjeçare aktori i mirënjohur Sulejman Dibra

Tuesday, 20 November 2018 15:01

Aktori i mirënjohur Sulejman Dibra është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare pas një ataku kardiak. Sulejman Dibra ka lindur më 9 shtator të vitit 1943 në qytetin e Shkodrës. Ai ka mbaruar studimet në Shkollën e Lartë për Aktor “Aleksandër Mojsiu” në Tiranë dhe karrierën e nisi në vitin 1966 në qytetin e Shkodrës ku punoin si aktor profesionist në Teatrin “Migjeni”.

Në vitin 1969 u transferua në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) në Tiranë. Këtu ka interpretuar në shumë pjesë si “Arturo Ui” e Bertold Brehtit, “Toka jonë” e Kolë Jakovës, “Prefekti” e Besim Lëvonjës etj…

Në kinematografi ka interpretuar mbi 15 role. Roli i tij i parë ishte ai Partizanit të plagosur në filmin “Komisari i Dritës”. Më tej interpretoi në rolin e Kiços, agjentit 13 në filmin “Njësiti “Guerril” , rolin e Sotir Filipit “Kasketa” në filmin “Operacioni “Zjarri””, rolin e Drejtorit të shkollës në filmin “Tinguj Lufte”, rolin e Gjeneralit turk në filmin “Nëntori i dytë” etj.

Roli i tij më i fundit ishte në vitin2012, ku interpretoi brigadierin në filmin "Pas diellit" të Kled Kapexhiut.

Sulejman Dibra gjithashtu ka dhënë mësim në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në degën e Aktrimit. Ai është i martuar me pianisten Anita Tartari dhe ka një vajzë, Enin, e cila është sot një pianiste e njohur.

Për meritat e tij artistike në vitin 2006, Sulejman Dibra është vlerësuar me Urdhrin “Naim Frashri i Artë”.

Sulejman-Dibra-1.png

Modifikuar më Tuesday, 20 November 2018 15:23
Login to post comments