Në mënyrë të papritur është ndarë nga jeta Eimuntas Nekrosius, një ndër regjisorët dhe artistët më të spikatur të teatrit evropian.
Regjisori lituanez do të mbushte 66 vjeç pikërisht më 21 Nëntor. Personalitet vetmitar dhe i veçuar, më tepër i dhënë pas melankolisë sesa haresë. Nekrosius ishte një artist rigoroz dhe inovator në gjuhën e skenës dhe kulturalisht i rëndësishëm për disa gjenerata aktorësh.
Ai kishte studiuar në Institutin Lunarski të Moskës dhe për vite me radhë ka qenë drejtor i teatrit të të rinjve në Vilnius. Kur në vitin 1984, në moshë shumë të re, prezantohet në turneun e tij të parë ndërkombëtar me spektaklin “Pirosmani”, publiku dhe kritika e kuptuan menjëherë talentin që patën përballë.
Një vit më vonë e rikonfirmoi talentin e tij me suksese të forta në SHBA, Beograd, Austri, Itali, Finlandë, Izrael, Norvegji, Suedi dhe në Zvicër. Cechov dhe Shakespeare ishin referencat e tij kryesore. Në skenarizimet e Shekspirit ndjehet shpërthimi i një vizioni dinamik, ku energjia, fiziciteti, kimia që qarkullon në skenë mes aktorëve, përparëson ndjeshëm ndaj fjalës.
Megjithatë, në kujtesë do të mbetet i ngulfatur një Hamlet i jashtëzakonshëm, i përshkuar nga shqetësimi dhe vetëshkatërrimi, një Makbeth i çmendur dhe magjik dhe një Otello si personifikimi etalon i paranojës.
Të gjitha këto punë tashmë janë konsideruar vepra antologjie. Ajo që godet tek Nekrosius është qasja e tij ndaj skenës: puna e thellë ekspresive me aktorët, që nuk bie kurrë në përthyerje introspektive ose psikologjike, por zhvillohet gjithë kohën si komunikim sintonik.