Agim Sulaj, 20 punime prezantohen për herë të parë në Tiranë

Saturday, 24 November 2018 11:25

Piktori Agim Sulaj rikthehet në Tiranë për ekspozitën e tij “Rrënjët 3”. Ky vit i dedikohet Skënderbeut dhe disa vepra nga krijimtaria e tij do të ekspozohen me datë 26 nëntor për publikun. Me një aktivitet të vlerësuar jashtë Shqipërisë, piktori Agim Sulaj vijon traditën me ekspozitën “Rrënjët”. Pas dy ekspozitave të hapura më parë, ai vjen për herë të tretë me “Rrënjët”, por me vepra të reja që prezantohen për herë të parë në Tiranë. Piktori Sulaj tregon se nga krijimtaria e tij do të ekspozohen 20 vepra, në ekspozitën që do të hapet në sallën te hotel “Plazza”  “Disa prej tyre i dedikohen historisë së popullit shqiptar në veshjet e historinë, që përmbajnë, por dhe detajojnë vlera të qëndresës historike në shekuj”, shprehet ai. Mes vepra në pikturë, sipas tij portreti i Skënderbeut do të zërë vendin kryesor. “Ky vit, i cili i dedikohet Skënderbeut më gjen përsëri në Tiranë. Këtë vit prezantoj 20 punime, ku vendin kryesor e zë portreti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Tabloja përshkruan si një ëndërr meditative portretin e heroit kombëtar. I vendosur në qendër të tablosë portreti të mbërthen dhe pse nuk të shikon, jeton në kohen e tij midis qiellit të madh, që humbet në trajtat e një detajimi artistik të gjetur”, tregon piktori Agim Sulaj. Në ekspozitën “Rrënjët 3”  vjen edhe një cikël tablosh me “grimca kujtimesh” të pikturuara, një peisazh i madh si dimension nga qyteti ku jeton prej 27 vjetësh piktori Agim Sulaj, që është Rimini. Këtë herë për publikun artdashës që ndjek aktivitetin e tij artistik, piktori sjell në Tiranë edhe tablonë “Koka e Ali Pashës te Sulltani”. Piktori Agim Sulaj shprehet se varianti i parë i kësaj vepre ndodhet në muzeun dedikuar Ali Pashës. “ Varianti i parë ndodhet që nga viti i hershem 1990 në muzeun dedikuar kësaj figure historike, ndërsa në Tiranë prezantoj një variant të detajuar të tablosë “Koka e Ali Pashës te Sulltani””, shton më tej piktori. Por edhe pse këtë herë ai prezanton pikturat e tij, nuk mungon dhe vepra në karikaturë që u shpall fituese në Portugali. “Nga karikaturat në ekspozitë sjell veprën fituese në Portugali në qershor të këtij viti. Kjo vepër pa fjalë prezanton plastikën si faktor kryesor për ndotjen e fatin e planetit”, tregon piktori. Ekspozita do qëndrojë e hapur deri në fund të muajt janar të 2019.

Login to post comments