Enver Petrovci sjell premierën “Kreolët e Ballkanit” në Teatrin Eksperimental

E Enjte, 06 December 2018 14:08

Drama “Kreolët e Ballkanit” vjen premierë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” për publikun. Shkruar dhe me regji nga Enver Petrovci “Kreolët e Ballkanit" sjell histori dashurie, aksion dhe dramë. Shfaqja teatrore vjen mbrëmjet e datave 8 dhe 9 dhjetor në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ku këtë vit drama shqipe me autor dhe regjisor Enver Petrovcin duket se është dhe premiera e fundit. Kjo dramë është e shkruar nga autori dhjetë vite para luftës në Kosovë, duke i parashikuar saktë ngjarjet e kësaj lufte ndodhur para dhe pas saj. Autori dhe regjisori Enver Petrovci ka bërë pjesë të këtij teksti çdo emocion njerëzor si dashurinë, lumturinë, hakmarrjen, tradhtinë, por edhe shpresën për një botë më të mirë, për një atdhe më të dashur i cili ka nevojë të ul në prehrin e tij: dashurinë, fitoren dhe lumturinë. Për autorin  dramës Enver Petrovci në këtë botë disa luftojnë për tokën dhe të tjerë për shpirtin. “Bota përbëhet prej të papërcaktuarave, disa luftojnë për shpirtin dhe të tjerë për tokën” shprehet autori Enver Petrovci. Puna për ta sjellë në skenën e teatrit ka vijuar para disa kohësh dhe në role janë aktorë nga Kosova dhe Shqipëria. Rolet në dramën “Kreolët e Ballkanit” regjisori Enver Petrovci ia ka besuar aktorëve si Agron Shala, Elidon Alika, Kristian Koroveshi, Kriks Dumo si dhe Vanesa Petrovci. Skenografia është e realizuar nga Beqo Nanaj, kostumografe Sofi Kara, as/regjisor Enkeleda Fishekaj. Këtë herë vepra shënon premierën në Tiranë, por ajo nuk ka munguar dhe në skenën e Kosovës. Disa vite më parë kjo vepër teatrore është dhënë premierë në skenën e Prishtinës, ku atje është ndjekur me vlerësimin e publikut. Këtë muaj të fundit të viti kjo premierë teatrore, që i takon dramaturgjisë shqiptare është në skenën e Tiranës. Këtë herë për premierën e Tiranës janë aktorë që publiku i njeh për aktivitetin me teatrin, por mes tyre rol i ka besuar dhe vajzës së tij Vanesa Petrovci. Vepra pas skenës së Tiranës mendohet që do të vijojë më pas dhe në skenat e teatrit në Kosovë. Me një jetë artistike në skenat e Kosovës, Shqipërisë dhe më gjerë si regjisor dhe aktor Enver Petrovci është nga emrat e artit më të vlerësuar. Jo vetëm me teatrin, por dhe me kinemanë ka dhënë një kontribut të vlerësuar. Me role nuk ka munguar në filmat në Kosovë dhe në Shqipëri, që mbajnë emrin e regjisorëve të njohur. Është një ndër themeluesit e degës së Artit Dramatik dhe Akademisë së Arteve në Universitetin e Prishtinës në vitin 1989, ai kthehet nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në këtë universitet dhe formon kuadro të reja të aktorëve në Kosovë.

Login to post comments