Shqipëri – Itali, tashmë do të kenë bashkëpunime të reja në fushën e restaurimit të monumenteve të kulturës.
Në ambientet e Institutit të Monumenteve të Kulturës, drejtoresha e IMK-së, Arta Dollani zhvilloi një takim me një grup ekspertësh italianë nga Fondazione Flaminia, fondacion mbështetës i Universitetit të Bolonjës në Ravena si dhe me përfaqësues nga studio të tjera italiane të specializuara në fushën e restaurimeve. Takimi i mbajtur kishte për qëllim prezantimin e punës së institucioneve dhe fondacioneve prezente, të bashkëpunimeve të mëparshme me Shqipërinë dhe si ndarjen e eksperiencave në fushën e restaurimeve. Gjithashtu, u diskutua në hollësi rreth mundësive për bashkëpunime konkrete, për të cilat ekspertët italianë shfaqën gatishmërinë e tyre lidhur me rritjen e kapaciteteve, vënien në dispozicion të njohurive në fushën e restaurimit dhe të mundësisë për aplikimin konkret të këtyre njohurive në objekte apo site të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.