Filharmonia e Kosovës sjell kryeveprat e muzikës baroke

Tuesday, 11 December 2018 15:31

Filharmonia e Kosovës sonte do të mbajë një koncert në të cilin do të sjell në Prishtinë dy muzikante nga Franca.

Drejtori i Filarmonisë, Baki Jashari, ka thënë se në këtë koncert do të interpretohet një program të begatë me vepra nga më të ndryshmet, posaçërisht nga epoka e barokut

“Bëhet fjalë për koncertin e Korit të Filharmonisë së Kosovës, por kësaj radhe edhe me pjesëmarrje të orkestrës harkore apo një ansambli pak më të madh të Filharmonisë së Kosovës, të cilët do të interpretojnë një program të begatë me vepra nga më të ndryshmet, posaçërisht nga epoka e barokut”, ka thënë Jashari.

Ndërsa, dirigjenti Rafet Rudi ka thënë se pjesët që do të luhen, janë kryevepra të muzikës barokiene.

 “Me këtë koncert ne kemi marrë një detyrë përsipër që për herë të dytë ta bëjmë tërë koncertin me një muzikë specifike barokiene, që do të thotë, e zgjeron interesimin dhe veprimtarinë, vet Filharmonia edhe orkestra dhe kori. Kurse, sa i përket programit që është përgatitur për këtë koncert, dua të them se kam pasur mjaft kujdes që të ketë një tërësi, të fuknsionojë si tërësi. Në pjesën e parë paraqitet shkurt një program acapella, ku do të shquhen solistët tanë më të mirë të korit që ka mjaft dhe do të ketë edhe ansamble vokale e kështu me radhë, kurse veprat në vazhdim si Vivaldi dhe Pergolesi, janë poenta e programit”, ka njoftuar Rudi.

Sopranoja Clemence Garcia e cila do të performojë nesër në këtë koncert, ka thënë se për të është një eksperiencë interesante që do të luajë muzikë baroke në Filharmoninë e Kosovës.

Po ashtu, solistja Caroline Champy, e cila do të performojë si Alto, u shpreh e lumtur për këtë koncert, teksa tregoi se është vizita e parë e saj në Kosovë. Ajo tha se do të jetë përvojë interesante për të pasi që ndodhet në një vend krejt të ri për të.

Përndryshe, koncerti do të mbahet në kishën katolike “Shën Ndou”, në lagjen Ulpianë të Prishtinës, me fillim nga ora 20:00

Login to post comments