“Kruja dhe Skënderbeu”, ekspozita e 53 piktorëve shqiptarë zhvendoset nga Tirana në Vlorë. Në galerinë e artit të qytetit të Vlorës kjo ekspozitë vjen e organizuar në kuadër të vitit të Skënderbeut nga Instituti i Librit dhe i Promocionit dhe Bashkia e Vlorës, nën kujdesin e kryetarit të kësaj bashkie, Dritan Leli. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri në 25 dhjetor 2018. Në ceremoninë e saj merrnin pjesë piktorë, që me veprat e tyre janë në ekspozitë, por dhe emra të tjerë të artit e më gjerë. Ekspozita me piktura “Kruja dhe Skënderbeu” u çel më parë në Muzeun Historik Kombëtar. Piktorë nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova, të cilët kanë hedhur në telajo impresionet e tyre për heroin kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotin, Skënderbeun janë pjesë e kësaj ekspozite. Kur u bë prezantimit në Tiranë, drejtoresha e Institutit të Librit dhe Promocionit znj. Irena Toçi ndër të tjera tha se e veçanta e kësaj ekspozite është se marrin pjesë piktorë nga trevat mbarëshqiptare.
“Janë 53 piktorë pjesëmarrës, të cilët i përkasin brezave të ndryshëm, prandaj meqë më jepet rasti i falënderoj për përkushtimin e tyre”, tha ajo. Piktorë pjesëmarrës në ekspozitë janë Abdi Bajrami, Kujtim Buza, Sali Shijaku, Adrian Devolli, Agim Kadillari, Agim Sulaj, Anastas Kostandini, Vangjel Gjikondi, Adrian Çene, Vangjel Gjikondi, Nikolin Ivanaj, Zaim Elezi, Azem Kuçana, Genti Proko, Qamil Prizreni, Adriana Puleshi, Romeo Kallço, etj. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi në lidhje me aktivitetin ka pohuar se përvjetori i sivjetshëm i 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut na risjell sërish në vëmendje figurën e tij poliedrike, si strateg dhe udhëheqës i shquar. “Figura e tij nuk mbeti vetëm si një imazh, por është futur thellë në vetëdijen dhe ndërgjegjen e popullit shqiptar. Kjo krenari e trashëguar nga mesjeta u rishfaq dukshëm në Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe ka shërbyer për forcimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve”, tha drejtori Koçi. Sipas tij, ekspozita “Kruja dhe Skënderbeu” mbyll siparin e kremtimeve të 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.